Prestige ka bërë sot debutimin në Championsin e minifutbollit për vitin 2022, teksa ka zhvilluar edhe dy ndeshjet e para në grup në aktivitetin që po mbahet në Herceg Novi të Malit të Zi. Në Takimin e luajtur paradite, Prestige u ndal në një barazim 2-2 kundër 7Edma Patrioti të Sllovakisë. Ndonëse e dominoi sfidën Prestige nuk mundi që të dilte me 3 pikë nga kjo përballje.
Serinë e golave e hapi Shima me një parabolë të bukur. Në fillimin e pjesës së dytë sllovakët barazuan në 1-1, megjithatë Prestige rimori avantazhin në të 36-ën me Hyskon. Por dy minuta më vonë një autogol nga Shima vulosi rezultatin 2-2.
Ndërkohë pasdite, ishte radha për ndeshjen e dytë në grup, përballë Sipa Sarajevos. Këtë herë Prestige kishte në dispozicion edhe kapitenin Fatmir Hysenbelliu, i cili mori menjëherë rolin e protagonistit, duke kaluar Prestige në avantazh pas 6 minutash. Hysenbelliu finalizoi saktë një kundërsulm duke e ndalur topin në cepin e portës.
Dy minuta më vonë boshnjakët gjetën barazimin, por në të 13-ën ishte sërish Hysenbelliu, i cili ekzekutoi saktë një goditje standarde, duke rikthyer në avantazh Prestige. Kapiteni i dërgoi shifrat në 3-1 duke finalizuar në mënyrë të shkëlqyer një tjetër kundërsulm, pas një asisti të marrë nga Shima, për të kompletuar tripletën personale. Por në pjesën e dytë boshnjakët kthyen gjithçka në favor të tyre, duke shënuar 4 gola, për ta përmbysur rezultatin 3-5 në favor të tyre.
Nesër në orën 15:00, Prestige do të luajë ndeshjen e fundit në grup përballë vendësve malazezë të SB Sabornog Hrama, që do të jetë një ndeshje vendimtare për kualifikimin. Në Champions marrin pjesë 24 skuadra europiane të ndara në 6 grupe. Në fazën me eliminim kualifikohen vendet e para dhe të dyta të secilit grup, si dhe 4 vendet e treta më të mira. Përveç Prestige, Shqipëria përfaqësohet gjithashtu në këtë turne edhe me ekipin ATS.
Prestige – 7Edma Patrioti 2-2
Golat për Prestige: Shima, Hysko
Prestige: Cara, Sheta, Limani, Nuza, Çera, Shima (C)/ Hysko, Ademi, Rapo, Bekteshi, Dajti, Peposhi, Begaj.
Trajner: Eldiano Topi
Prestige – Sipa 3-5
Golat për Prestige: Hysenbelliu (3)
Prestige: Peposhi, Hysko, Sheta, Nuza, Shima, Hysenbelliu (C)/ Rapo, Ademi, Bekteshi, Limani, Çera, Dajti, Cara, Begaj.
Trajner: Eldiano Topi
Arena e Lajmit
