Rekordmenët gjermanë të Bajernit të Mynihut nuk dinë të dhurojnë spektakël vetëm brenda fushës së blertë. Bavarezët janë treguar të zotë edhe në pjesën e menaxhimit, madje kur bizneset më të fuqishme u tkurrën përballë pandemisë famëkeqe. Nga publikimet e “TZ”, klubi nga Mynihu, gjatë periudhës 2020-2021, arriti të nxjerrë 5 milionë euro fitim, pavarësisht se stadiumet ishin të kyçura. Nëse do t’i krahasonim në të njëjtën periudhë me klubet “big” të Europës, do të shikonim kontraste të thella në pjesën menaxheriale.

Skuadra që u qëndroi më pranë “ekspertëve” nga Mynihu me bazë bilancesh në një kohë të tillë, shfaqej Liverpuli me 5 milionë euro humbje, i ndjekur nga “Djajtë” e Junajtidit, me 27 milionë. Lista do të nxihej për klube si Dortmundi me 73 milionë humbje, Çelsi me 176, duke shkuar deri tek “emblemat” e katastrofës “piramidale”, si PSG-ja 225, Interi 239 dhe, për ta mbyllur kupolën me 555 milionë humbje, me autorësinë e klubit të Barcelonës. Pas këtij vështrimi përgjithësues, arrijmë të kuptojmë sakrificat e kryera nga e drejtuesit e Bajernit, se si mund t’ia dalësh edhe në kohë “lufte”. Një tjetër goditje, madje më e fortë se pandemia, do të ishte largimi i Robert Levandovskit në drejtim të Barcelonës. Goleadori polaku u duk se do të sillte pasoja të rënda në “Allianz Arena”, por Salihamixhiç me shokë e gjeti kurën e duhur edhe në këtë rast, duke mos i lënë asgjë rastësisë, mjafton të përmendim se nga periudha 2018- 2021 arriti të përfitojë 160.5 milionë euro nga shitjet e lojtarëve të tepërt.

Afrimet në merkaton aktuale, si Sadio Mane, Matajs de Ligt etj., do të rrisnin sërish potencialin në opinion e gjerë, pavarësisht se ata kanë qenë gjithmonë lart, edhe kur kritikët më të mëdhenj i kanë “shtypur” më shumë seç duhet. Përfundimi është më se i qartë: 26 gola në 6 ndeshjet e para për sezonin e ri, duke përfshirë Superkupën, ndeshje në Bundesligë dhe ato të fundit në Kupë ndaj Viktoria Këln. “Tanku” bavarez nuk njeh pengesë, duke shtypur çfarëdolloj problemi dhe kundërshtari që i del përpara.
Arena e Lajmit
and then