Skënder Gega kërkon fitoren e parë me Kukësin e tij këtë sezon, pas një barazimi dhe humbjeje në start.

Në daljen e tij para mediave një ditë para përballjes me Kastriotin, trajneri vlerëson kundërshtarin, por nuk harron të përmendë edhe ndeshjen e kaluar ndaj Vllaznisë, në të cilën bënë shumë gabime, ku shpreson të mos ndodhin më.
“Kastrioti ka qenë vitin e kaluar pretendent në fazat e tretë apo katërt, ku ka bërë shumë mirë, ndoshta ka marrë pikë më shumë se çdo rival tjetër.
Por është diçka e së kaluarës, ndaj nuk mund të flasim për të kaluarën e tyre apo edhe të Kukësit.
Jemi para një fakti, ku në dy ndeshje kemi një barazim dhe një humbje, edhe pse dëshira jonë ishte të merrnim maksimumin, por mënyra se si erdhi loja, besoj se duhet të meritonim pak më tepër.
Megjithatë, gabimet u panë, problemet që kemi, i dimë, dhe jemi munduar të korrigjohemi në stërvitje.
Më vjen keq se u shfaq një pasqyrë krejt tjetër nga ajo që bëjmë në stërvitje, sepse çdo gjë bëhet në bazë të stërvitjes.
Ndaj Vllaznisë ishte një pjesë që nuk do ta shihja asnjëherë tjetër, në të dytën reaguam mirë, ndoshta pak me vonesë, por në futboll ka të papritura dhe duhet të jemi gjithnjë vigjilentë.
Edhe pse kishin porosi që në çdo moment të jenë të kujdesshëm, mendoj se ishte e panevojshme dhe pa vëmendje, ndoshta u kënaqëm me një pikë, por këto janë gjëra që ndodhin në futboll dhe kemi nxjerrë konkluzione”, u shpreh fillimisht Gega.
PRITSHMËRITË
Trajneri ka pritshmëri të mëdha për ndeshjen e radhës dhe vazhdimësinë, por kërkon që ekipi të luajë konstant gjatë gjithë ndeshjes dhe të mos ketë ulje-ngritje.
Për të, çdo ndeshje është një finale.
“Çdo gjë vjen me logjikë, ku nëse luan futboll të mirë, vijnë edhe rezultatet e mira. Nëse ti luan një ndeshje me dy pjesë të ndryshme, kjo tregon se nuk i ke bërë detyrat ashtu siç duhet.
Ne kërkojmë që nga minuta e parë deri në të 90’-ën të jemi në të njëjtin model dhe jo me ulje-ngritje, por të jemi konstantë dhe të luajmë me kujdes, sepse futbolli është i atillë.
Nuk duhet nënvlerësim dhe kush është profesionist e kupton që futbolli nuk ka nënvlerësim dhe vetëm pasi mbaron ndeshja, e kupton nëse ka qenë e lehtë apo e vështirë.
Unë personalisht i marr të gjitha si finale. Jemi mbrapa me pikët, sepse me Vllazninë duhet të dilnim me pikë. Në ndeshjen e radhës, synimi është fitorja.
Nuk është sekret dhe nuk ka asnjë lloj presioni.
Grupi po konsolidohet në stërvitje, kanë disa ditë së bashku. Lojtarët që kanë ardhur, po njohin njëri-tjetrin, u shfaqën dobësi dhe moskomunikim gjatë pjesës së parë me Vllazninë, por u korrigjuam në të dytën.
Jo vetëm ata që hynë, por edhe ata që ishin në fushë në pjesën e dytë korrigjuan veten dhe ky është formati që kërkojmë në stërvitje, ndaj nesër (sot) hyjmë të marrim maksimumin, siç është fitorja”, vijoi më tej Gega.
SITUATA
Në lidhje me situatën e lojtarëve, Gega pohon se mund të bëjë disa ndryshime për këtë ndeshje, ndërkohë që pohon se të gjithëve do t’u vijë radha të tregojnë vlerat e tyre.
“Për mua, titullarë janë të gjithë, përderisa trajtohen në stërvitje të gjithë njëlloj dhe përderisa u është dhënë besimi të gjithëve njëlloj.
Që në momentin e parë që kam ardhur te Kukësi, u kam thënë që në 34 ndeshje plus kupën, të gjithë do të kenë shansin e vet.
Nesër (sot) mund të kemi ndonjë ndryshim të vogël edhe për arsye të performancës që u dha me Vllazninë apo për arsye shëndetësore, por do të vendosim pas stërvitjes së fundit.
Do të nxjerrim më të mirët e mundshëm, në mënyrë që edhe zëvendësimet të bëjnë aq mirë sa me Vllazninë, por i kemi të gjitha mundësitë për të arritur suksesin”, përfundoi prononcimin e tij tekniku i Kukësit.
VLADIMIR MEMA – Arena e Lajmit
and then