Juventusi ka frikë të fitojë, tani Mesi-Mbape-Nejmar trembin dyfish “Zonjën e Vjetër”

Dy fitore dhe tri barazime në këtë fillimsezoni për Juventusin në Serinë A janë një panoramë dëshpëruese për tifozët bardhezi, duke parë sidomos atë që skuadra ka shfaqur në fushën e lojës.

JUVENTUS

Fatkeqësia është se edhe në Firence (barazim 1-1) u pa një skuadër që nuk ka dëshirë të luftojë për fitoren! Ndoshta ka frikë… Ndoshta nuk di sesi të shkojë deri aty sa të kërkojë tri pikët pa ankthin se mund ta humbë ndeshjen!

Kjo ndjesi shihet sidomos në transfertë, sepse pas 15 minutave të para ku Juvja e nisi në mënyrë magjike, duke kaluar në avantazh, dhe u duk se nuk i vuante mungesat e rëndësishme, në mënyrë të habitshme ajo më pas i la të gjithë skenën Fiorentinës, duke rrezikuar edhe përmbysjen.

Penalltia e pritur nga Perini ndaj Joviçit ndez alarmin, duke qenë se skuadra ul shumë bariqendrën, madje nuk del thuajse më kurrë nga gjysmëfusha e saj deri në fund të ndeshjes. Vetëm dy goditje në portë në total, asnjë në pjesën e dytë, janë numra që duhet të bëjnë Alegrin, por ndoshta edhe drejtuesit e klubit, që të reflektojnë mirë dhe sa më shpejt të reagojnë.

Për të mos folur pastaj për Vlahoviçin, i cili qëndroi në stol gjatë të gjithë 90 minutave, duke parë shokët e tij sesi nuk kanë forcë për të sulmuar.

Serbi, me 4 gola në 4 ndeshje, është njeriu që mund ta ketë vuajtur më shumë faktin që nuk luajti përballë ish-publikut të tij. Ndoshta, fakti që PSG-ja është në horizont dhe tri zëvendësime Alegri i pati të detyrueshme gjatë ndeshjes, mund të kenë ndryshuar planet e trajnerit për Vlahoviçin.

Por kur sheh që në fund, trajneri hedh Bonuçin në vend të një sulmuesi, ky është tregues i qartë se Alegrit i mungonte kurajo dhe dëshira për të fituar në Firence.

Sigurisht, kur nuk mundesh ta fitosh është gjithmonë më mirë që mos ta humbësh ndeshjen, por një skuadër si Juventusi është e dënuar nga historia që të kërkojë deri në fund golin e fitores dhe të mos mendojë kurrë që të mbrohet.

Ndoshta, nuk ishte thjesht një rastësi që më të mirën Juventusi e tregoi kur Paredesi mori në dorë skuadrën, me markime të sakta në fazën difensive, por edhe me gjeometri të shumta dhe shkarkime të sakta pasimesh vertikale.

Gjithsesi, edhe personaliteti i argjentinasit duroi 15 minuta, pasi fati i keq donte që ai të prekte një top me dorë dhe të shkaktonte penallti, por Perin “ia fali” gabimin duke shmangur dëmet.

Tani vjen debutimi në Champions, nesër, në Paris kundër PSG-së. Nuk ka dyshime se në këtë duel nevojitet një Juventus shumë ndryshe nga ajo në Firence, sepse tridhëmbëshi Mbape-Mesi-Nejmar nuk është reparti sulmues i Fiorentinës dhe një Juve si ajo që u pa në “Artemio Franki” do ta gllabëronte me një kafshatë.

Arena e Lajmit


Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×