
Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, i pyetur sot nga gazetari Ergys Gjençaj nëse është e nevojshme të ketë vetting edhe në administratë, tha se kjo nuk do të mund të parandalonte plotësisht korrupsionin, pasi sipas tij dikush mund të dalë i pastër në vetting, por më pas përfshihet në korrupsion.
“Kjo fjala vetting ka fituar një farë qytetarie në Shqipëri. Pavarësisht nëse janë në administratë ose jo, edhe kjo është një masë parandaluese, është një farë parandalimi. A duhet të ketë vetting në gjithë qelizat e administratës? Nuk mendoj se është masë që ndalon fenomenet në vend. Po pas vettingut çfarë do ndodhë? Kjo nuk do të thotë që ky fitoi imunitet ndaj korrupsionit, ndaj janë agjensitë ligjzbatuese.
Gjithë agjensitë kanë përgjegjësi për korrupsionin apo fenomenet kriminale. Nëse i bëjmë vetting asaj, ja doli që ishte në rregull, por nesër fillon avazin. Sa i u takon zyrtarëve të lartë publik, ka disa mekanizma që i kontrollojnë”, tha ai.
Pyetja erdhi duke iu referuar ish-shefes së kabinetit të ish-zv.kryeministrit Arben Shmetaj, Alda Klosi, së cilës iu vodh një shumë tejet e majme në banesë, para të padeklaruara, ndërsa po ashtu rezulton si pronare e disa banesave.