Ndalesa e dytë e Bajernit në Bundesligë, Nagelsman ironik: Inter, mos u mbro si Union Berlini!

Kryendeshja Union Berlin-Bajern Mynih nuk ka nxjerrë fitues në xhiron e 5-të të Bundesligës. Edhe pse të besuarit e Julian Nagelsmanit kuotoheshin si favoritë absolutë, përfundimi në rezultatin final nuk rezultoi i tillë.

NAGELSMAN

Bajern vinte pas barazimit “të pamerituar” ndaj Myshengladbahut në javën e kaluar, për nga vëllimi i lojës dhe rrezikshmëria, por që ndaj berlinezëve, sfida ishte shumë më e hapur në rastet e paraqitura.

Pas 5 javësh, Bajerni dhe Unioni vazhdojnë të jenë në të njëjtën kuotë pikësh, por jo më në krye, pasi tashmë Dortmundi dhe Fraiburgu bëjnë ligjin në Gjermani me nga 12 pikë, një më shumë se dy skuadrat e përleshura në “Stadion An der Alten Försterei”.

NDESHJA – Bajerni vinte me ndryshim skeme, ndryshe nga ato të sfidave fillestare 4- 2-2-2, por me 4-2-3-1.

Me Manenë në rolin e pykës, të mbështetur nga treshja Sane, Musiala dhe Koman. Sfida do të niste vrullshëm për të dyja ekipet.

Fillimisht do të shënon vendasit pas ekzekutimit të goditjes së dënimit në mënyrë të zgjuar brenda zonës, aty ku i përhershmi Beker godet bukur me të djathtën në cepin e portës mike dhe 1-0, minuta e 12-të.

Vetëm 3 minuta më vonë, bavarezët gjejnë golin e barazimit, me anë të Joshua Kimish. Lojtari gjerman shënon në kufijtë e zonës së rreptësisë me një të djathtë rrafsh me fushën, pa i lënë kohë reagimi mbrojtjes dhe portierit të “Hekurave”.

Minuta e 36- të mund të kishte ndryshuar fatet e takimit, por Sane nuk mendoi kështu, duke gabuar në goditjen përballë portierit të ekipit kundërshtar.

1-1 do të koincidonte edhe rezultati i pjesës së parë. Në të dytën, të besuarit e 35-vjeçarit i rritën dozat sulmuese, por pa gjetur rrjetën. Me mundësinë e artë të senegalezit në fund të përballjes, u mbyll edhe sfida.

Nagelsman nuk e përjetoi mirë barazimin e dytë radhazi, pas atij ndaj Myshengladbahut.

Zhgënjimin nga arbitri para një jave, tashmë gjermani 35- vjeçar ua faturoi faulleve të ekipit mikpritës, duke përdorur frazën “ata realizuan shumë faulle të zgjuara”:

“Ndaj Unionit, Bajernit i mungoi energjia e fillimit të vrullshëm në kampionat. Asgjë nuk shkoi ashtu siç ne dëshironim dhe e kishim përgatitur”.

Strategu i rekordmenëve gjermanë nuk u përmbajt dot pas ‘perdes’ së barazimit simpatinë për stadiumin dhe tifozërinë vendase. “Stadiumi dhe tifozëria e Unionit më pëlqeu tej mase, jam i befasuar.

Edhe pse në rolin e miqve, i uroj për performancën ndaj nesh, janë tifozëri speciale”.

Julian u ngacmua edhe në lidhje me supersfidën e Champions-it, atë ndaj Interit dhe paradigmën e ngjasimit me Unionin.

INTERI – “Në Milano pres një ndeshje të bukur nga ana e të dyja ekipeve. Shpresoj që vendasit të shfrytëzojnë faktorin fushë dhe tifozërinë. Nuk besoj se kanë arsye të vendosen në mbrojtje.

Nga ekipi i Bajernit pres paraqitje ndryshe nga sa kemi realizuar në dy takimet e fundit.

Nuk mund ta imagjinoj që të luaj në një kompeticion të tillë dhe të ec me filozofinë e murit, aq më shumë kur ke kundërshtarë të kalibrit botëror”, theksonte ish-tekniku i Lajpcig.

Deklarata me një ton të tillë, përveçse përbuzëse ndaj zikaltërve, shfaq edhe pasqyrën e lojës së Unionit, meqenëse përpara takimit u shpreh se Interi dhe Unioni ngjasojnë në taktikën e ndjekur.

Përgatiti: SAIMIR MBËRSI


Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×