Në festën e golave të Barcelonës kundër Seviljes protagonist ka qenë edhe një mbrojtës. Erik Garsia, jo vetëm ka bërë mirë punën e tij kryesore, por i ka shkuar në ndihmë skuadrës edhe në sulm. Ka qenë goli i tij në pjesën e dytë që ka vulosur përfundimisht suksesin e katalanasve. Por e vetmja notë negative ka qenë dëmtimi i tij, që e detyroi të dilte nga fusha e lojës fill pas shënimit të golit të tretë për miqtë.
Duke folur për “Barça TV” ai ka qetësuar tifozët katalanas në lidhje me dëmtimin e pësuar. “Kam marrë një goditje në pjesën e parë pas një gjuajtjeje të Lamelës. Dhe kam ndier pak shqetësim në pjesën e dytë. Por nuk besoj se ka diçka shqetësuese, nuk ka asnjë dëmtim për fat”, ka thënë mbrojtësi, i cili me sa duket është zëvendësuar nga trajneri Ksavi për të mos rrezikuar.
Eriku ka folur edhe për golin e shënuar. “E prisja në fakt golin tim të parë si profesionist. Shokët e mi talleshin gjithnjë me mua se nuk shënoja kurrë, por ja që di dhe unë të shënoj”, ka thënë mbrojtësi.
Arena e Lajmit
