Bajern i Mynihut ka filluar të zbehet pas nisjes së vrullshme të kampionatit, ndaj Union Berlinit.
Të besuarit e Julian Nagelsmanit regjistruan barazimin e dytë rresht, madje duke rrëshqitur edhe nga kryesimi në kampionatin gjerman. Ja cilët janë 5 lojtarët e dështimit të Bajernit në transfertën “berlineze”:
1. SADIO MANE
Senegalezi ishte fajtori kryesor në golin e parë të shënuar nga Sheraldo Beker. Ai qëndroi pasiv në depërtimin e lojtarit kundërshtar, duke mos kryer as tentativën më të vogël në pengimin e rrezes goditëse. 30-vjeçari nuk u pa aktiv as në repartin ofensiv, aty ku dalja e tij ishin me pikatore.
2. KINGSLI KOMAN
Jashtë orbite në krahasim me ndeshjet hapëse të sezonit të ri. Anësori francez kryente driblime shume larg zonës së rreptësisë, të cilat përktheheshin si të panevojshme në dobi të repartit ofensiv. Madje, pjesa më e madhe e krosimeve nuk kishin objektiva të qartë.
3. LEROI SANE
Aksioni i përsosur nga Musiala nuk gjeti konkretizimin e duhur nga Leroi. Në fraksione të veçanta, 26-vjeçari ndërmerrte aksione individuale në zonën e kundërshtare, duke u thyer lehtësisht nga ekipi pritës.
4. DAJOT UPAMEKANO
Mbrojtësi francez vazhdon me gabime edhe këtë javë, por pa pasoja fatale. Rasti flagrant përkon me minutën e 75-të. Pas pozicionimit të gabuar, 23-vjeçari humb ekuilibrin duke ia servirur gjithë hapësirën e mundshme për të rrezikuar portën lojtarit kundërshtar, por fatmirësisht eksperienca dhe reflekset e gjigandit Nojer janë vendimtare.
5. ALFONSO DEJVIS
Mbrojtësi kanadez prezantoi edhe një herë paraqitje larg gjendjes optimale. Në asnjë moment nuk përcolli freski nga krahët për qendrën e sulmit bavarez. 21-vjeçari nuk ndodhet ende në habitatin e dy sezoneve të fundi me ngjyrat e rekordmenëve gjermanë. Durimi i Nagelsman do të zgjaste deri në minutën e 84-t, kur Gorecka u pa si alternativa më e mirë për të rrezikuar në minutat e mbetura.
Arena e Lajmit
