Tirana do të kërkojë të lërë pas zhgënjimin e ndeshjes me Vllazninë për t’u rikthyer sërish në një rezultat pozitiv dhe atë do ta tentojë në takimin e radhës që do të jetë përballë Kastriotit në Kamzë.
Krutanët janë shfaqur rrezikshëm në ndeshjen e fundit, teksa arritën të përmbysnin Kukësin dhe t’i rrëmbejnë tri pikë. Gjithsesi, takimi ndaj Kastriotit do të përgatitet me shumë kujdes nga stafi bardheblu, ku nuk përjashtohen disa ndryshime në formacionin startues.
NDRYSHIMET
Pas Bekajt që mbetet i paprekur, në qendër të mbrojtjes, pas mungesës së Zhivanajt që u ndëshkua me karton të kuq dhe nuk do të jetë i disponueshëm, alternativat janë të shumta. Trajneri Shehi ka mundësinë të zgjedhë një mes Behiratçes dhe afrimit të fundit, Bruno Lulaj. Ndërkohë, një alternativë tjetër, është që përkrah Toshevskit, Najdovskit dhe Ismajlgecit të jetë zhvendosja e Albano Aleksit në mbrojtje. Kthimi i Ismajlgecit në krahun e majtë do të ulë në stol Përgjonin. Ndërsa në mesfushë, kalimi i Aleksit mbrapa do të hapë një vend, ku mendohet të jetë Ardit Deliu, që pritet të debutojë si titullar ndaj Kastriotit. Në krah të ishmesfushorit të Laçit do të jetë Limaj dhe Kallaku.
SULMI
Në treshen e lojtarëve ofensivë, zhvendosja e Ismajlgecit në mbrojtje, do të rikthejë Hasanin në rolin e tij natyral që është në krahun e djathtë, pasi kujtojmë që ndaj Vllaznisë ai luajti si sulmues qendre. Krahu tjetër do të mbulohet nga Redon Xhixha, ndërsa në qendër janë dy alternativa. Shehi pritet që t’i besojë një mes Elvi Berishës dhe brazilianit Patrik. Të dy lojtarët u aktivizuan si zëvendësues në takimin ndaj Vllaznisë, ndërkohë që njëri mes tyre pritet që ta nisë titullar. Gjithsesi, trajneri i bardhebluve ka disa ditë në dispozicion për të menduar dhe nxjerrë formacionin që do të kërkojë pikët maksimale ndaj Kastriotit në Kamzë.
FORMACIONI I MUNDSHËM:
Arena e Lajmit
