Shënoi golin e fitores për Kastriotin, flet heroi Mehmeti: E majta më nderon gjithmonë

Xhuljo Mehmeti ishte heroi i fitores së parë të krutanëve për këtë kampionat. Mesfushori i rikthyer te Kastrioti pas një sezoni në Kategorinë e Parë me Erzenin, shënoi afër fundit të lojës, pas një goditjeje me të majtën nga jashtë zone, duke vulosur përmbysjen 1-2 në Kukës. Në intervistën për “Panorama Sport”, Mehmeti komentoi fitoren dhe golin, teksa foli edhe për vazhdimësinë në kampionat.

XHULJO MEHMETI

Një fitore në limite, e kishit imagjinuar të tillë?

Kishim besim se do të arrinim të merrnim një rezultat pozitiv. Presidenca, stafi dhe ne lojtarët kemi besuar gjatë gjithë javës se do të arrinim të bënim mirë.

Sa shijon një trepikësh i tillë, kur vjen në transfertë, me përmbysje dhe me gol personal?

Është një trepikësh kundër një ekipi që ka shumë vite që është nga më të fortët në Superiore dhe, për më tepër, luan mbas shumë kohësh në shtëpinë e vet, çka e bën dyfish më të vështirë. Mendoj se ishte një fitore që na shton besimin dhe motivimin për të vazhduar me të njëjtën dëshirë edhe në ndeshjet e ardhshme.

Një e majtë nga 20 metra, e menduat në momentin e goditjes që do të shkonte në rrjetë?

Gjithmonë kam shënuar me të majtën, por me ndihmën e Zotit, ai top shkoi në rrjetë dhe na dha një fitore të vyer. Është një gol që ia dedikoj vajzës që presim.

Si ishte atmosfera në dhomat e zhveshjes pas këtij triumfi?

Normalisht, kur fiton, atmosfera është e mirë edhe në dhomat e zhveshjes. Siç thashë më parë, të gjithë besojnë shumë te ky grup. Festuam aq sa duhet dhe që sot po mendojmë për ndeshjen e radhës.

Flasim pak për rikthimin tuaj te Kastrioti, si ndiheni tani që jeni sërish pjesë e krutanëve?

Në Krujë ndihem si në shtëpi, është viti i tretë për mua. E di mirë mentalitetin dhe si përjetohen ndeshjet. Për më tepër luaj në qytetin tim, në stadiumin ku jam rritur dhe ndihem mirë.

Si ju kanë pritur në skuadër dhe si e shikon ekipin këtë vit, duke qenë se ka pasur edhe shumë afrime?

Jam ndier sikur s’jam larguar asnjëherë, grupi i çunave është fantastik, jemi shumë të bashkuar dhe shumë besnikë ndaj njëri-tjetrit.

Duke parë kontingjentin, cilat janë pritshmëritë për këtë sezon futbollistik te Kastrioti?

Pritshmëritë këtë vit janë që të mbledhim sa më shumë pikë për të qëndruar përsëri mes 10 ekipeve më të mira në Shqipëri. Ne jemi ekip i pjekur dhe me këmbë në tokë.

Arena e Lajmit


Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×