Interi dhe Bajerni i Mynihut do të përballen nesër në ndeshjen e parë të këtij sezoni në Champions League për të dyja skuadrat, aty ku në Grupin C, bashkë me Barcelonën e Viktoria Pilzenin, kanë formuar atë që është quajtur “grupi i vdekjes”.

Për të analizuar sfidën që do të luhet në “San Siro”, ka menduar Lotar Mateus, gjermani që i ka veshur të dyja fanellat dhe i njeh mirë filozofitë e klubeve, pavarësisht ndryshimeve të ndodhura vitet e fundit.
Ish-mesfushori, pavarësisht ndjenjës për zikaltrit, mendon se bavarezët nuk kanë rivalë, madje shkon edhe më tej, duke i quajtur ata favoritë absolutë për trofeun.
INTERI – “Unë jam shumë i lidhur me zikaltrit, i vlerësoj dhe shpresoj të jenë ata fituesit e kampionatit, madje mendoj se i kanë të gjitha cilësitë për ta bërë. Kanë lojtarë shumë të fortë, e kam thënë dhe herë tjetër, që Lautaro dhe Barela janë fantastikë. Por nëse do të flasim për Europën dhe për ndeshjen me Bajernin, duhet të bëj një hap pas. Mendoj se Interi duhet të përqendrohet dhe të punojë për vendin e dytë dhe për të lënë pas Barcelonën. Pastaj, Bajerni është një makinë”.
BAJERNI – “Bajerni është pretendenti kryesor për trofeun. Kanë bërë një merkato fantastike, edhe pse kanë humbur Levandovskin. E të mendosh që unë isha nga ata që mendoja se duhet të merrnin Lukakun si pasardhësin e Robertit. Kur Barça e Mançester Siti u fokusuan te dy numra 9, Nagelsman zgjodhi të mos ketë asnjë. Tani është më i lirë të luajë lojën e tij, atë stil që aplikonte te Lajpcigu me mentalitet, shpejtësi, teknikë dhe shpirt skuadre. Kanë një superekip: Nojer është më i miri në botë, Mane është një bekim për skuadrën, Musiala është i jashtëzakonshëm dhe me rikthimin në maksimum të De Ligtit, Bajerni do të jetë në majë”.
Arena e Lajmit
and then