Java e tretë e kampionatit të 84-t të Kategorisë Superiore ka nxjerrë në skenë problemet e vjetra të gjyqtarëve.
Momenti i aksionit të golit të mohuar për Erzenin
Rastet për moviolë ishin të pranishme në këtë javë, ku gabimi më i madh ndodhi në ndeshjen Erzeni-Teuta ku gjyqtarët gabuan rëndë në minutën e 71-të, duke i hequr Erzenit mundësinë e shënimit të një goli të rregullt.
Fillimisht gaboi anësori Korreshi, që ngriti flamurin shumë shpejt, edhe pse ishte gabim në vlerësim. Më pas gafa trashet me vërshëllimin e gjyqtarit Beqiri, kur topi nuk kishte përfunduar akoma në rrjetë, duke bërë kështu që të nxjerrin jashtë loje protokollin e veprimit të VAR-it. Të saktë dy kartonët e kuq në klasike.
“Panorama Sport” ju sjell të gjitha rastet e diskutueshme në javën e tretë në Kategorinë Superiore:
ERZENI – TEUTA 0-0
Gjyqtarë:A. Beqiraj (Tiranë), D. Korreshi (Lushnjë), T. Kasa (Vlorë); VAR: E. Hamiti, E. Gjoka (Lezhë)
Erzenit i është mohuar një gol i rregullt ndaj Teutës.
Gjyqtarët në fushë kanë gabuar aq shumë, saqë edhe sistemi VAR, në bazë të protokollit që ka për raste të tilla, ka dalë totalisht jashtë loje.
FSHF-ja kishte dërguar në Durrës një treshe mikse, me kryesor Ardian Beqirin (Tiranë), si dhe anësorë Devis Koreshin (Lushnjë) e Taulant Kasën (Vlorë).
Në sistemin VAR ishin ndërkombëtari Eldorian Hamiti dhe Elvis Gjoka, të dy nga Lezha.
Teksa luhej minuta e 71-të e takimit, kapiteni Gëzim Krasniqi largon me forcë një top nga mesfusha, teksa kap të papërgatitur mbrojtjen e Teutës.
Sulmuesi Patrik Nonato fiton duelin e shpejtësisë me Qaqin dhe Kuron, e më pas në dy tentativa drejt portës, e dërgon topin në rrjetë.
Pa përfunduar ende aksioni, çuditërisht anësori Devis Korreshi ngre flamurin për pozicion jashtë loje.
Me rregulloren e re, anësori duhet ta ndjekë aksionin deri në përfundimin e tij, e më pas të sinjalizojë me ngritjen e flamurit bindjen që ka për pozicion jashtë loje.
Në këtë mënyrë futet në lojë sistemi VAR dhe arbitri është në pritje të shqyrtimit të pamjeve filmike.
Mirëpo, në rastin konkret, ka ndodhur një gabim trashanik i dyfishtë nga arbitrat.
Së pari, nuk është lejuar vazhdimi i lojës sipas protokollit; dhe së dyti, aksioni që përfundoi me gol, është totalisht i rregullt në bazë të pamjeve filmike, pasi sulmuesi i Erzenit mbahet në lojë nga mbrojtësit e Teutës.
Këtu kemi edhe një gabim të kryesorit Beqiri, i cili vërshëlleu për ndërprerjen e aksionit përpara se ai të përfundonte.
Kësisoj, një precedent i tillë me shkelje të rregullores nga arbitrat në fushë, në bazë të protokollit të VAR-it, sistemi nuk ndërhyn nëse bie bilbili.
Një gafë që ndikoi direkt në dëm të Erzenit dhe nxori jashtë loje VAR-in.
TIRANA-VLLAZNIA 1-2
Gjyqtarë:E. Jorgji (Elbasan), D. Rexha (Tiranë), R. Çokaj (Lezhë)/ VAR: F. Lata (Durrës), N. Bregasi (Tiranë)
Tirana-Vllaznia u gjykua nga Enea Jorgji me ndihmës Denis Rexhën dhe Ridiger Çokajn.
Rastet për moviolë nuk munguan, por e përgjithshmja është se gjykimi ishte i drejtë.
Momenti kulmor i ndeshjes ishte penalltia në favor të Vllaznisë dhe kartoni i kuq i dhënë ndaj Zhivanajt të Tiranës në minutën e 20-të.
Në këtë rast, arbitrat në fushë dhe në VARi vendosën drejt.
Sa për sqarim, ja pse kartoni i kuq për Zhivanajn ishte i drejtë:
Mbrojtësi ndërhyn si lojtar i fundit ndaj Kainës, por në këtë rast duket qartë se Zhivanaj nuk kishte asnjë interes për topin, por vetëm për të ndalur sulmuesin e Vllaznisë, duke përdorur edhe mbajtjen me dorë.
Kështu që penalltia dhe kartoni i kuq ishin vendime të sakta të gjyqtarëve.
Edhe kartoni i kuq i dhënë për Herald Markun në minutën e 50-të ishte i saktë, pasi ndërhyrja e mesfushorit të Vllaznisë ndaj Deliut ishte e gabuar dhe e meritonte kartonin e dytë të verdhë.
Gjatë ndeshjes, pati ndonjë moment pandëshkueshmërie për ndërhyrje të gabuar, por gjykimi në këtë rast nuk ndikoi në rezultatin final, madje ishte brenda standardeve.
LAÇI-EGNATIA 0-1
Gjyqtarë:O. Yzeiraj, N. Rrapaj (Patos), R. Zajimi (Tiranë) / VAR: K. Cjapi (Fier), O. Kuka (Tiranë)
Gjykimi i ndeshjes LaçiEgnatia i ishte besuar arbitrit të ri nga Patosi, Olsion Yzeiraj, ndërsa në dhomën e VAR-it ishin Kreshnik Cjapi dhe Orlando Kuka.
Rasti i vetëm për moviolë në këtë takim ka të bëjë me golin e dytë të Egnatias, që u anulua nga VAR-i.
Minuta 72: Musta vepron bukur nga e majta e sulmit dhe në fund lëshon një asist në qendër për Delarzh, i cili, me qetësi, shënon golin e dytë.
Por goli nuk e kalon provën e certifikimit në VAR dhe, pas katër minutash, anulohet për pozicion jashtë loje të Mustës, kur u shërbye nga Xheksoni.
Pamjet nuk janë shumë të qarta, por nga përsëritja dhe skema grafike e paraqitur pas kontrollit, del se VAR-i ka vepruar drejt.
BYLISI – PARTIZANI 0-1
Gjyqtarë:J. Xhaja (Tiranë), I. Tartaraj (Fier), R. Malaj (Vlorë) / VAR: K. Barjamaj (Tiranë), O. Ferataj (Patos)
Gjyqtari Juxhin Xhaja u tregua korrekt dhe nuk pati në asnjë moment nevojë për VAR-in.
Rastet për moviolë ishin dy.
Në të 26’-ën, Lorran godet Skukën me bërryl brenda zonës. Kërkohet penallti, por Xhaja vazhdon lojën.
Nuk duket kontakt aq intensiv sa për të akorduar 11-metërsh.
Në minutën e 85- të, Abazaj kontrollon një top brenda zonës. Partizani kërkon penallti, por pamjet tregojnë të kundërtën.
KUKËSI – KASTRIOTI 1-2
Gjyqtarë:K. Bajramaj, A. Shkreta, F. Kolleshi (Tiranë)/ VAR: K. Shahini (Durrës), Xh. Mani (Tiranë);
Një takim pa probleme në gjykim apo raste moviole që kanë nevojë për rishikim dhe analizë.
Arena e Lajmit
and then