Quajeni Luzi i çudirave. Klubi nga Kavaja që në 2009-ën eliminoi Tiranën nga Kupa e Shqipërisë, pas 13 vitesh i tregoi vendin edhe Flamurtarit. Pakkush e kishte pritur që kjo skuadër të siguronte fitore që në ndeshjen e parë që luanin në historinë e tyre në Kategorinë e Parë dhe për më tepër në mes të Vlorës.
Ja që falë përulësisë dhe besimit, morën një trepikësh të merituar. Edhe pse ishin në disavantazh, përmbysën gjithçka. Arkitekti i kësaj arritjeje është padyshim ai: Lorenc Pashja. Peqinasi ka një kulturë vetëpërmbajtjeje e kjo u shfaq edhe vjet kur Luzi 2008 u ngjitur në këtë ligë. Të gjithë nxituan të merrnin merita, ndërsa trajneri, ashtu urtë e butë dhe larg zhurmës, rindërtoi grupin e këtij kampionati. Ai pati deklaruar në prag të kësaj transferte se do të shkonin në Vlorë me synime të qarta dhe se nuk i druheshin. Fjalët nuk ia mori era, pasi në Luz u kthyen me kokën lart. “E dinim se përballë kishim Flamurtarin me aq histori dhe të investuar me miliona.
Me futbollistët kisha folur dhe u mundova t’ua bëj të qartë se nuk vlen vetëm emri për të arritur qëllimin. Duhen gjunjë të vraposh dhe zemër të sakrifikosh. Pas pjesës së parë në dhomat e zhveshjes u thashë që e doja këtë fitore dhe e besoja vërtetë prej lojës që po zhvillonim. Ashtu ndodhi. Ndërrimet i bëra pikërisht me idenë e ndryshimit të rezultatit dhe fundi më dha të drejtë. Jam i kënaqur nga dëshira e sakrifica që lojtarët treguan duke mos u ndier për asnjë sekondë inferiorë përballë emrit të Flamurtarit. Ky besim, shoqëruar me një lojë të kujdesshme, ishin sekretet e fitores sonë. Vetëm se sot në analizë theksova se ishte vetëm ndeshja e parë.
Nuk duhet harruar se kampionati është i gjatë. Duhet të rrimë me këmbë në tokë dhe të kujdesshëm kur do të kemi përballë ekipe me shumë traditë, madje dhe me tituj në Superiore. Festa mbaroi dhe sytë e mendja jonë janë drejtuar nga Oriku, të cilin do ta presim në Shijak. E pashë kundër Dinamos dhe kam vlerësim maksimal për ta. Do të përgatitemi gjatë javës që me kokë ulur të japim maksimumin edhe ndaj tyre”, tha enkas për “Panorama Sport” numri një i pankinës së kavajasve. Kujtojmë se Luzi 2008 ka ruajtur rreth 80% të grupit të ekipit që solli ngjiten historike dhe në merkato afroi disa lojtarë që duan të bëjnë karrierë.
– Arena e Lajmit