
Kreu i PD-së Sali Berishës ka folur sot për 21 janarin teksa u pyet për rolin e Lulzim Bashës, atë kohë ministër i Brendshëm.
Berisha tha se protestuesit u sollën nga Edi Rama dhe qëlluan me armë drejt dritares së zyrës së tij ku po punonte.
“21 Janari është akt anti-kushtetues, i Edi Ramës dhe grupit të tij. Ka një deklaratë të kryesisë së radhës së OSBE-së asokohe që shprehet qartë, tensionet për pushtet të atij puçi. 21 Janari ka një zhvillim dramatik, 4 të vrarë.
Të sjellë të gjithë nga Rama me qëllim për të rrëzuar Sali Berishën, për të pushtuar Kryeministrinë. Dhe u përdorën të gjitha mjetet e dhunës, përfshirë armët e zjarrit dhe plumbat në dritaren e zyrës së kryeministrit, që ai po punonte aty.
Është bërë një hetim i plotë. Kam qenë unë që kam kërkuar hetim ndërkombëtar për problemin dhe i keni të gjitha në media, por kishte problematikë ajo, jo nga unë. Është bërë një hetim, asnjë vrasje dhe plagosje nuk është bërë nga policia, por nga gardistë në zbatim të ligjit të tyre, me teprim, pa teprim, por garda nuk funksionon me urdhër, por me ligj.
Sa i përket ministrit të Brendshëm, në këtë rast gjykoj se policia e shtetit nga ajo ngjarje ka dalë e lavdëruar nga ndërkombëtarët, por ministri nuk ishte as komandant garde dhe as drejtor i policisë. Nuk mund të them se ka pasur rol konkret në zhvillimet e asaj dite”, deklaroi Berisha.