Alegri e shikon gotën gjysmë plot, ja tri arsyet e Juves për të shpresuar pas humbjes në Champions

Një sezon i nisur jo në mënyrën më të mirë të mundshme në kampionat, u shoqërua edhe nga sfida e Champions League ndaj PSG-së. Juventusi nuk ka mbërritur ende në nivelin që i dikton emri, por ndërsa në Serinë A pritet shumë më shumë nga bardhezinjtë, paraqitja e së martës në mbrëmje përballë njërit prej pretendentëve për trofeun me veshë të mëdhenj, mund të shërbejë si pikë kthese për sezonin e skuadrës së Alegrit.

JUVENTUS

Fakti që humbja erdhi përballë një skuadre favorite dhe mbi të gjitha për mënyrën si erdhi, kanë bërë që në Torino ta shikojnë gotën gjysmë plotë, për të paktën tri arsye, te të cilat mund të bazohet “Konti Maks” për t’i dhënë vazhdimësinë e munguar Juves.

DISFATË PREJ INDIVIDËVE

Nëse Juventusi e pa veten në disavantazhin e dy golave pas vetëm 20 minutave, padyshim që arsyeja kryesore ishte ndikimi që patën në lojë treshja fantastike e parisienëve. Aksi NejmarMesi-Mbape është i papërballueshëm për çdo skuadër, por në pjesën tjetër, kur topi nuk mbërrinte te sulmuesit, skuadra e Galtie nuk arriti të imponohej. Këtë e kanë treguar statistikat në përfundim të ndeshjes, lidhur me goditjet drejt portës (6-4) dhe kontrollit të topit (53%-47%), që ishin në favor të francezëve, por pa diferencë të ndjeshme. Nga ana tjetër, nëse do t’u referohemi kilometrave të përshkuara nga secila prej skuadrave, peshorja anon nga bardhezinjtë. Ngushëllues për Alegrin nuk është niveli i lojës në vetvete, por fakti që skuadra e tij u mposht nga individët. E nëse flasim për individët, bardhezinjtë janë ende pa Pogbanë, Di Marian dhe njëfarë Kieza, që në “Kontinasa” do të plotësojnë potencialin që Juventusi mbart.

JUVENTUS

PRANË BARAZIMIT

Pasi MeKeni ngushtoi shifrat në 2-1, Juvja pati mundësinë reale për të barazuar. Menjëherë Vlahoviç që u ndal nga Donaruma e Lokateli, që 10 minuta nga fundi, edhe pse në një pozicion të favorshëm nuk arriti të shënonte, mund të kishin sjellë një tjetër finale të ndeshjes. Shembuj këta që mund të bëjnë të shpresojnë bardhezinjtë, të cilët pavarësisht mungesave, mbrojtjes ende të pakolauduar me tre lojtarë, me Bonuçin jo në maksimum dhe Bremerin që po përballon për herë të parë Champions-in, arritën t’i shkojnë aq pranë barazimit në shtëpinë e njërit prej pretendentëve për fronin.

JUVENTUS

LOJA NË RRITJE

Pjesa e dytë në rritje është ajo që e lë Juven me një tjetër shije, pavarësisht humbjes. Nuk bëhet fjalë vetëm për nivelin atletik të lojtarëve, por mbi të gjitha për trendin e përmbysur. Nëse në kampionat Juventusi gjente golin e pastaj përmbysej, këtë herë qasja ishte e ndryshme. Të gjitha këto nuk e ndryshojnë faktin që “Zonja” është në kuotën e zero pikëve në grupin H, por Alegri mund të marrë më të mirat e kësaj ndeshjeje dhe ta përdorë atë si themelin për të ndërtuar një skuadër fituese.

NISLI GJINI-Arena e Lajmit


Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×