“E gjeta gati ekipin, ngjitja objektiv”, Troisi: Ju tregoj çfarë më bindi të rikthehesha te Flamurtari

Marcelo Troisi ka ardhur me ide të qarta në Vlorë. E di se çfarë do klubi dhe qartazi e thotë: synojmë për ngjitjen në elitë. Në ditën e dytë të punës si trajner i Flamurtarit, ai është rrëfyer. Gjatë konferencës së dhënë dje për mediat, braziliani zbuloi se e bindi një telefonatë e administratorit që të kthehet në Shqipëri. Vlerëson punën e bërë nga paraardhësi i tij Resuli, ndërsa thekson se e ka gjetur të ndërtuar skuadrën.

troisi

Troisi rigjen Vlorën. Çfarë ju bindi që të ktheheshit?

Ka qenë një telefonatë e presidentit. Një bisedë me Sinan Idrizin mjaftoi dhe unë jam rikthyer në Vlorë. E prita me shumë kënaqësi këtë ftesë, pasi siç e dini, unë kam qenë edhe më parë këtu. Kam shumë respekt dhe konsideratë për këtë qytet dhe klubin.

Jeni përgatitur, pasi do të keni një punë të vështirë përpara apo jo?

Jam shumë i vetëdijshëm që kemi shumë punë përpara. Qëllimi është që skuadra të ngrihet sa më shpejt. Patjetër që do të jetë një punë shumë e vështirë.

Keni njohje me lojtarët që keni gjetur te Flamurtari dhe që janë afruar gjatë kësaj merkatoje?

Gjeta një skuadër të ndërtuar dhe më ngroh fakti se brenda ka lojtarë cilësorë dhe do të bëjmë të gjithë më të mirën për të arritur objektivin. Kështu që tani duhet të shohim përpara.

Objektivi i klubit është Superiorja. Mendoni se do ta arrini?

Objektivi i Flamurtarit dihet që është ngjitja në Superiore. Për këtë gjë ne do të punojmë çdo ditë. Unë e njoh qytetin, po ashtu e njoh edhe ambientin që padyshim do të jetë një ndihmë e madhe për punën time në drejtim të Flamurtarit.

Si e gjetët skuadrën?

Flamurtari ka lojtarë profesionistë dhe mjaft cilësorë. Trajneri që u largua ka bërë një punë të mirë, por tani duhet të bëjmë edhe më shumë dhe të ecim me ritëm.

Debutimi juaj është të shtunën kundër Korabit në stadiumin “Flamurtari”. Çfarë prisni?

Po, ndeshja e radhës është me Korabin në Vlorë. Kundërshtari është një skuadër që luan fort dhe mirë, por duhet të mendojmë për atë se çfarë do të bëjmë këtë të shtunë. Natyrisht që objektivi është fitorja në këtë ndeshje.

Do të sillni ndryshime në formacion?

Çfarë do të ndryshoj? Jo shumë gjëra. Ndoshta nga ana taktike në skuadër, pasi lojtarët brenda grupit janë dhe ne do të synojmë fitoren e ndeshjes. Janë objektiv tri pikët të shtunën dhe ne duhet të rritemi javë pas jave.

– Arena e Lajmit


Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×