Prej kohësh futbolli shqiptar është ekspozuar nga tregu i huaj, megjithëse fronin e lojtarëve më të shtrenjtë për momentin e mbajnë vendësit, ku udhëheq Xhixha i Tiranës i pasuar nga Skuka i Partizanit. Sipas “Transfermarkt”, 10 klubet e Superiores kanë në radhët e tyre 91 futbollistë me pasaportë jo shqiptare. Nisur nga ky numër, i bie që 32.9 për qind e futbollistëve të Kategorisë Superiore të jenë të huaj.
Në këtë listë kryesojnë futbollistët nga Maqedonia e Veriut, të cilët janë 15. Këtu futen edhe futbollistë shqiptarë, por që kanë pasaportë të Maqedonisë së Veriut. Gjithsesi, futbollistët që vijnë nga Maqedonia e Veriut dhe Kosova nuk llogariten si të huaj në Superiore, duke mos u përfshirë te limiti i 5 të huajve njëkohësisht në fushë. Brazilianët janë komuniteti i dytë më i madh në Superiore, që përbehet nga 14 lojtarë. Më pas vjen Kosova me 8 futbollistë për të vijuar me Nigerinë dhe Malin e Zi me nga 6 lojtarë. Te të huajt kemi edhe tre futbollistë me pasaportë gjermane, që janë shqiptarë të Kosovës, Engjëll Hoti, Vesel Limaj dhe Pogon Maloku.
Partizani i epokës “Demi” në Superiore personifikohet edhe me portierin Alban Hoxha, i cili ka mbetur i fundit i “Mohikanëve” te të kuqtë që nga rikthimi në elitë në verën e 2013-ës. Alban Hoxha është lojtari më besnik në Superiore, pasi sot mbush 3356 ditë pa lëvizur asnjë moment nga Partizani.
34-vjeçari është pjesë e Partizanit që nga 1 korriku i 2013-ës, duke qenë ndër afrimet e para të “demave” pas rikthimit në Superiore. Ndryshe nga kampionatet e shkuara, edicionin e dhjetë në Superiore me fanellën e Partizanit, portieri Alban Hoxha nuk e ka nisur si titullar, ndonëse nuk ia kanë hequr statusin e kapitenit të parë të skuadrës.
Arena e Lajmit
