Debutoi me rekord në “San Siro”, Onana: Ringritja është detyrim

“Ndeshja ime e parë në ‘San Siro’ ishte një ëndërr që u bë realitet”. Me këto fjalë e ka shprehur Andre Onana emocionin e debutimit me fanellën zikaltër mes shtyllave, një debutim për të cilin priti një muaj, por që erdhi në një nga ndeshjet më speciale të Interit, të parën në Champions League kundër Bajern Mynihut.

ANDRE ONANA 2

Edhe pse 26-vjeçari nuk e mbajti dot portën të paprekur dhe bavarezët e ndëshkuan dy herë, paraqitja e tij ishte ndër gjërat e pakta pozitive të mbrëmjes europiane të zikaltërve. Jo vetëm që bindi me atë që tregoi gjatë 90 minutave, por kamerunasi arriti të vendoste edhe një rekord për milanezët qysh në zbritjen e tij të parë në fushë. Të mërkurën, Onana ka kryer 10 pritje, një numër që asnjë portier tjetër i zikaltërve nuk e ka arritur në një ndeshje të Champions-it, të paktën që prej 2003-2004-ës, kur kanë filluar të mblidhen statistika të tilla.

PARAQITJA

Ajo që ra më shumë në sy është qasja që kamerunasi ka pasur ndaj ndeshjes, edhe pse u diskutua shumë për këtë zgjedhje të Inzagit. Nerva të hekurt dhe muskuj reaktivë që në goditjet e para të gjermanëve, të cilët nuk pushuan me ofensivën në asnjë moment, krijuan menjëherë përshtypjen e asaj që do të dhuronte numri 24 i zikaltërve. Në vazhdim, reflekset e sprovuara disa herë, me shumë fuqi dhe personalitet, treguan që portieri i ri i Interit ka një stil tërësisht ndryshe nga ai i Handanoviçit dhe ndoshta mund t’i japë skuadrës një shtysë më shumë, edhe pse nisë në atë rast me Bastonin nuk do të ishte shpëtuar nga shtylla, ndoshta tani do të flisnim për një tjetër histori. Gjithsesi, prezantimi i përgjithshëm dhe 18 ndërhyrjet e tij në total, me 5-6 prej tyre vendimtare, mjaftuan për të kaluar provimin e parë.

ANDRE ONANA

FJALËT E ONANËS

Kamerunasi e ka komentuar debutimin e tij për kanalin e klubit, një debutim që nuk e shoqëroi dot me tri pikë. “Ishte një ndeshje e vështirë ajo e Champions-it kundër një rivali të madh. Nuk shkoi ashtu si e prisnim, por duke ecur në këtë rrugë, rezultatet do të mbërrijnë”, tha Onana që zbuloi edhe ndjesitë: “Më bëhet qejfi shumë për debutimin, por pas një humbjeje është gjithmonë e vështirë të jesh i kënaqur. “ Është një moment i komplikuar për skuadrën dhe nuk mund të them që e shijova si doja ndeshjen e parë. Gjëja më e rëndësishme është fitorja e skuadrës dhe shpresoj që të mbërrijë ndeshjen e radhës”. E në ndeshjen e radhës, atë ndaj Torinos të shtunën, Inzagi ka paralajmëruar se do të jetë Handanoviç në portë, diçka që portieri nuk e ka parë në aspektin personal: “Torino është një skuadër që luan mirë dhe ne duhet të bëjmë çdo gjë që është e mundur për të marrë tri pikët”. Deklaratën, Onana e shoqëroi edhe me një postim në faqen e tij zyrtare në “Instagram” ku kërkoi të inkurajonte ekipin. “Është e lejueshme të rrëzohesh, por të ringrihesh është e detyrueshme. Duhet të qëndrojmë të bashkuar dhe të japim shpirtin në fushë për t’ia dalë. Falënderoj të gjithë zikaltrit për mbështetjen në ndeshjen time të parë. Ishte fantastike”, u shpreh 26- vjeçari.

Arena e Lajmit


Debutoi me rekord në “San Siro”, Onana: Ringritja është detyrim

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook