Tirana po përgatit ndeshjen e javës së katërt, teksa ditën e nesërme, në orën 15:00, do të përballet me Kastriotin në Kamzë. Bardheblutë dje kanë zhvilluar seancën stërvitore të radhës dhe sot mbyllin përgatitjet për këtë sfidë.
Në ekip atmosfera ishte pozitive dhe në disa momente edhe më shumë seç duhej. Vonesa e Shehit u kalua me humor dhe më tej përqendrimi në stërvitje ishte maksimal. Po ashtu edhe tekniku ishte në humor.
Gjithsesi, asgjë nuk ka mbaruar pasi Shkëndija e Tetovës nuk është tërhequr. Në fushë kishte zbritur edhe drejtori Tefik Osmani, ndërsa pjesa e parë e stërvitjes ishte tepër e lehtë.
Të gjithë punuan ushtrime me topin dhe më pas fokusimi ishte te pjesa taktike. Disa skema për të shkuar për të rrezikuar kundërshtarin dhe për të gjetur golin në mënyrë të befasishme, por me disa kushte.
Cili lojtar nuk do të shënonte, dënimi ishte të bënte 5 pompa toke. Ndërsa seanca vijoi me goditje në portë, ku lojtarë si Kallaku, Xhixha dhe Ismajlgeci gjetën më shumë rrjetën, ndërsa Limaj ishte ai që nxori nga repertori i tij disa “perla”.
Mesfushori njihet për teknikën që zotëron dhe gjithashtu në një lojë midis lojtarëve që pritet të luajnë si titullarë dhe atyre të stolit, dalloi me lojën e tij. Ndërkohë që binte në sy loja e luftuar, aq sa Hasanit i grisën edhe jelekun me ngjyrë. Në fund seanca përfundoi me ekzekutime penalltish.
KRISTI SEJATLLARI – Arena e Lajmit
