Dembele iu bashkua Barcelonës në vitin 2017 si një nga blerjet më të bujshme në historinë e këtij klubi, por dëmtimet e shumta kushtëzuan trajektoren e tij sportive me katalanasit.

Atij iu desh të operohej tri herë në Finlandë (shtator 2017, shkurt 2020 dhe qershor 2021). Edhe kur Ksavi mori drejtimin e Barçës në nëntor 2021, Dembele ishte i dëmtuar për shkak të një problemi muskulor. Por pikërisht me ardhjen e trajnerit aktual gjithçka ndryshoi dhe për francezin, që duket një lojtar i rilindur. Lidhja me Ksavin – Francezi është lidhur menjëherë me Ksavin, sepse tekniku i ri ia bëri të qartë se besonte plotësisht në aftësitë e tij si futbollist. Por duke i tërhequr veshin se duhej të punonte… shumë madje. Nëse ai është ende sot pjesë e Barçës, më së shumti i detyrohet Ksavit.
BESIM I VERBËR I TEKNIKUT
Pavarësisht dyshimeve që rrethonin Dembelenë, Ksavi i besoi një vend titullari, duke ngulur këmbë për rinovimin e tij. Madje provoi të bënte dhe menaxherin dhe paqeruajtësin mes francezit dhe presidentit Laporta që e donte jashtë klubit. Ksavi i besonte verbërisht atij.
DËMTIMET
Me Ksavin në stol edhe dëmtimet e Dembelesë duket sikur janë zhdukur me magji. Edhe vetë sulmuesi e ka pranuar në intervistat e tij.
STABILITETI EMOCIONAL
Stabiliteti i tij në nivel personal me bashkëshorten përkrah, si dhe motivimi për të fituar një biletë për Botërorin e ardhshëm, po ndihmojnë për të përmirësuar performancën e tij.
PJEKURIA PERSONALE
Ata që e njohin më nga afër kanë vënë re një ndryshim në mënyrën e të veshurit, më formal dhe elegant se më parë, por edhe në qëndrimin e tij ndaj mediave: ndërsa dikur ikte nga intervistat, ndonjëherë fjalë për fjalë, tani e ka kuptuar se edhe komunikimi është pjesë e detyrimeve të tij si profesionist dhe se, përveç kësaj, mund të ketë efekte të dobishme për imazhin e tij.
Arena e Lajmit
and then