“Nuk jemi të shqetësuar, Torino do të shkojë në Milano për…”, sfidon Vojvoda: Kush është Interi?!

Interi do të presë sot në orën 18:00 Torinon në një “San Siro” që pritet të jetë e mbushur plot, pavarësisht vërshëllimave që rezervuan tifozët për skuadrën në mesjavë.

VOJVODA 1

Gjatë përballjes me Bajern Mynihun, skuadra ra pre e kontestimit nga ana e përkrahësve të saj, një kontestim, jo vetëm për paraqitjen e asaj mbrëmjeje, por për të gjithë sezonin.

Ndërsa do të luhet java e gjashtë e kampionatit, zikaltrit janë në një nga momentet më delikate të tyre, pasi kanë humbur ndaj Milanit e Lacios dhe ndodhen në kuotën e 9 pikëve.

Një moment të tillë, pakkush do ta kishte parashikuar dhe mund të shkojmë edhe më tej e të pranojmë që asnjë nuk do ta mendonte se ndërsa përgatisnin duelin Inter-Torino, miqtë do të ishin më lart në renditje.

“Granatat” kanë grumbulluar 10 pikë, dhe sikur të mos mjaftonte kjo, kanë edhe një mbrojtje më të mirë se ajo e milanezëve me 5 gola të pësuar kundrejt 8 të zikaltërve, numra këta që padyshim ia prishin gjumin Inzagit, edhe pse përballë skuadrave të Juriçit, ka humbur vetëm një herë.

46-vjeçari mund të niset nga kjo statistikë për të transmetuar besimin që të tijtë kanë nevojë për t’iu rikthyer fitores, që sot në Milanon zikaltër është e nevojshme si ajri.

VOJVODA – Edhe pse Interi tashmë është një bishë e plagosur, që kërkon të reagojë, torinezët nuk i frikësohen, përkundrazi, kanë ndërmend të shfrytëzojnë këtë moment jo të mirë të zikaltërve.

Shpirtin e skuadrës e ka përcjellë Mërgim Vojvoda, që nga mikrofonat e “Torino Channel” ka sfiduar Interin.

“Përse duhet të jemi të shqetësuar që po përballim Interin?”, e ka nisur 27-vjeçari i përfaqësueses së Kosovës, që ka vazhduar: “Që pas ndeshjes me Leçen jemi përgatitur për këtë sfidë dhe nuk i frikësohemi askujt.

Jemi të karikuar, në Milano do të luajmë si të barabartë. Do të shkojmë në ‘San Siro’ për të fituar”.

Inter-Torino premton të jetë gjithçka veç së mërzitshmes, këtë e ka treguar përballja e fundit mes tyre që u mbyll në një barazim 1-1 mes polemikash të shumta për në penallti të munguar të torinezëve dhe një goli në minutat e fundit të zikaltërve.

Vojvoda sapo e ka nxehur edhe më shumë sfidën, që këtë herë nuk do të shohë mes shtyllave mike Etrit Berishën e dëmtuar.

Përgatiti: NISLI GJINI


Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×