Shehi driblon për ofertën që ka marrë nga tetovarët dhe do një shkëndijë për fitoren ndaj Kastriotit: Sulmi i Tiranës kërkon kohë

Tiranës, ose më saktë Orges Shehit, i du het një “shkëndijë” për fitoren, në ndeshjen e sotme përballë Kastriotit, e vlefshme për javën e katërt të Superiores. Trajneri thekson në konferencën për shtyp së është bardheblu dhe nuk është momenti për të folur për diçka të tillë, duke iu referuar interesimit nga Shkëndija e Tetovës. Shehi shpjegon gjithashtu ndryshimet e pozicioneve që Tirana ka pësuar dhe shprehet se Kastrioti është një ekip që i bën detyrat mirë në shtëpinë e vet.

ORGES SHEHI 1

Si është e vërteta me Shkëndijën e Tetovës, ka pasur një ofertë drejt jush?

Unë mendoj që jemi para ndeshjes dhe deri më 31 maj të vitit tjetër jam trajneri i Tiranës e këtë e kam të ngulitur në kokë mirë sepse pas ndeshjeve të Europës kërkoja të bëhej një ndryshim për të marrë përgjegjësitë e skuadrës, edhe pse skuadra në disa momente çedoi edhe për shkak të gabimeve individuale, por duke qenë trajner mendoj që trajneri duhet t’i marrë përsipër. Pas atij momenti, nuk mendoj se është çështje për të folur për skuadra të tjera kur ne kemi ndeshjen nesër (sot) dhe fokusi është i gjithi te Kastrioti.

Shehi, sezonin e fundit u shpallët kampion, por me Kastriotin në 4 përballje, dy jeni mundur, 1 fitore dhe 1 barazim. Çfarë kundërshtari është potencialisht ekipi krutan?

Statistikat janë këto që thatë ju. Ne jemi të vetëdijshëm që na pret një ndeshje e rëndësishme, edhe për shkak të kundërshtarit, i cili është relativisht i fortë. Sigurisht që në fushën e tyre i bëjnë akoma më mirë detyrat. E dimë që është një ndeshje e rëndësishme edhe për shkak të bilancit që ju përmendët, që nuk e kemi si gjithë të tjerët, pra është skuadër që shpeshherë na ka vendosur në vështirësi.

Në repartin e sulmit keni provuar Hasanin në qendër dhe Ismajlgecin në krah, Hasani nuk është në rolin e tij natyral, përse kjo zgjedhje?

E thashë edhe pas ndeshjes me Vllazninë, ne aty kemi ndryshuar. Kjo për shkak se Patrik, lojtari tjetër që afruam në fund të merkatos, dhe Berisha, ndonëse nuk janë pyka të mirëfillta, por ne i llogarisim për të qenë në majë, kjo edhe për shkak të formës së tyre fizike, mundohemi të çojmë Hasanin atje, që po ta kapësh dhe të bësh analizë siç e bëjmë ne, nuk është se ka shkuar keq. Sigurisht që vendi i Florentit është një krah dhe sapo lojtarët të na marrin formën e tyre më të mirë fizike, atëherë sigurisht që do të arrijë te pozicioni i tij.

Keni zhvilluar lojëra të mira, por në mbrojtje keni pasur shumë probleme. E stabilizuat pjesën e prapavijës?

Ne jemi të kënaqur me atë që kemi prodhuar në fushë. Të mos harrojmë që është një skuadër 50% e re dhe këtë e them edhe për shkak se lojtarët janë afruar shumë vonë. Kemi pasur shumë pak kohë për të punuar, nuk është si vjet që kishim tre muaj të plotë. Këtë vit ishim ndryshe deri në korrik, më pas u ndryshua edhe për efekt të merkatos, por gjithmonë ka nevojë për përmirësim. Është e vërtetë që vendin e Hoxhallarit akoma nuk kemi arritur ta stabilizojmë pasi na ka lënë një boshllëk të madh. U munduam edhe kur ishim në Europë që të afrojmë lojtarë me karakteristika të tilla, sepse është shumë i rëndësishëm për ndërtimin e lojës nga poshtë, kemi ndryshuar disa herë, disa herë ka funksionuar, disa herë jo. Do të vazhdojmë të modifikojmë përsëri dhe do të mundohemi të futim në fushë lojën që ka qenë gjithmonë.

Keni probleme për sa u përket lojtarëve? Keni ndonjë lojtar që nuk është në dispozicion?

Huseini vazhdon të mos jetë me grupin, stërvitet veçmas. Limaj gradualisht po vjen në formë, të mos harrojmë që pas ndeshjeve të Europës ka qëndruar thuajse një muaj jashtë për shkak dëmtimi dhe është bashkuar me grupin e po jep maksimumin në stërvitje. Shumë shpejt besoj do ta shohim në formën e tij më të mirë. Gjendja e skuadrës për pjesën tjetër është e mirë, edhe afrimet e fundit gradualisht po vijnë në formën e tyre, edhe në aspektin taktiko-teknik duke ju bashkuar skuadrës dhe duke kuptuar se çfarë po kërkojmë në këtë sezon, që është komplet ndryshe nga sezoni i kaluar.

KRISTI SEJATLLARI – Arena e Lajmit


Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook