Zbërthimi i veprës së artit/ Simfonia e Realit në Gllazgou, goli i tretë për manual

Reali i Karlo Ançelotit di se si fitohet, di se çfarë bën më shumë në fushë se kundërshtari dhe natyrisht që di të luajë në forma të ndryshme. Kjo teori është vërtetuar për të disatën herë edhe në fitoren e arritur të martën në mbrëmje në ndeshjen e parë në grup në Ligën e Kampioneve kundër Sëlltikut (0-3).

1421421385.0

Një takim i nisur keq dhe mes vështirësish të shumta, por që u mbyll me një triumf dhe një paraqitje brilante e denjë për një skuadër të kalibrit të Madridit. Të gjithë sytë e dashamirësve dhe analistëve të futbollit janë fokusuar te goli i tretë i shënuar nga Eden Hazard, por që në të vërtetë ishte një simfoni, një mozaik i saktësisë, dinamizmit dhe talentit.

Goli i tretë i Realit erdhi pas 33 pasimesh të pandërprera dhe 82 takimeve të topit, me Eden Hazardin, ekzekutuesin e fundit. Goli i tretë i Realit ishte pasqyra më e mirë e cilësive të jashtëzakonshme që zotëron skuadra e Ançelotit. Në gjenezë të golit që vulosi triumfin e Realit në “Celtic Park” pati shumë interpretues, cilësish dhe momentesh shkëlqimi. Në sekuencën e golit të Realit u përfshinë tetë lojtarë (Kros, Modriç, Karvahal, Mendi, Kamavinga, Valverde, Hazard dhe Vinicius), në një aksion që zgjati 97 sekonda që kur Toni Kros vendosi të ekzekutonte një goditje dënimi të shkurtër në vend që ta krosonte topin në zonë.

Çelësi i të gjithë aksionit të Realit qëndron në aftësinë e Madridit për të tërhequr lojtarët e Sëlltikut, duke i detyruar ata të lënë pozicionet dhe më pas të shfrytëzonte korridoret e krijuara. Lojtarët e Realit qëndronin pranë njëri-tjetrit, duke luajtur me pase të shkurtra dhe lënë hapësira shokëve të tjerë të ekipit për të manovruar në fushë të lirë – Karvahal, Mendi ose Vinicius – ndërsa kishte kryqëzime dhe lëvizje të shpejta, gjithnjë për të krijuar superioritet.

VEPRA E ARTIT

Këto lëvizje pa top të lojtarëve të Realit ishin shtylla kurrizore e të gjithë aksionit, gjatë të cilit pati minimumi katër ndryshime pozicionesh, dy nga Kros, një nga Modriç dhe Valverde. Nga e djathta në të majtë, duke kaluar përmes qendrës, dhe duke u kthyer përsëri nga krahu tjetër, bënë që mbrojtja e Sëlltikut të çorientohej. Kjo i dha mundësi Hazardit të manovronte mes linjave të mbrojtjes skoceze dhe më pas të shënonte golin e 0-3.

Timonierët e Realit ishin ata dy të zakonshmit, Kros e Modriç. Madridi siguroi një qarkullim efektiv dhe të saktë, ndërsa Sëlltiku ra në grackën e Realit, duke shkelur në territore që nuk duhej ta bënte. Asnjë lojtar i Sëlltikut nuk arriti ta prekte topin nga minuta 73:01 deri në minutën 77:16, kur u detyrua ta niste topin nga qendra. Katër minuta e 15 sekonda si spektatorë pa biletë për skocezët.

33 pasimet radhazi pa ndërprerje të bëra nga Reali janë sekuenca më e gjatë në 434 golat që ka shënuar Reali në Ligën e Kampioneve që nga sezoni 2003-2004, sezon kur të dhënat nisën të grumbulloheshin rregullisht nga “Stats Perform”. Rekordin e deritanishëm e mban Barcelona me 40 pasime radhazi pa ndërprerje në vitin 2013 po kundër Sëlltikut, ku protagonisti final ishte Tejo.

Në çdo rast, “simfonia e bardhë” në ndeshjen e parë në grupe në Champions i përgjigjet statusit kolektiv dhe individual të shumë prej futbollistëve të Realit. Goli i Hazardit është pjesë e një serie të gjatë golash për manual të shënuar nga Madridi në sezonet e fundit në Ligën e Kampioneve dhe që tregon për përsosjen e stilit të lojës së kësaj skuadre. Mandatit historik për të fituar, Madridi i shton aftësinë, talentin dhe kreativitetin e lojës së tyre. Fitorja është e bardhë, por edhe stili…

Arena e Lajmit


Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×