Simone Inzagi mund të marrë frymë i qetë. Fitorja ndaj Torinos, ndonëse minimale, ka hequr pak presion mbi supet e tij dhe diskutimet për shkarkimin e trajnerit nga zikaltrit duhet të shtyhen. Një fakt që ai e ka pranuar pas sfidës, teksa ka theksuar se ekipi kishte luftuar dhe falë këtij suksesi që erdhi vetëm me një gol në minutën e 89, kishte krijuar më shumë vetëbesim.
“Është një ndeshje shumë e rëndësishme, e donte e gjithë skuadra ndaj një kundërshtari të fortë, që është gjithmonë i vështirë për t’u përballuar. Pas të mërkurës e dinim që duhej të vuanim, është një fitore e kërkuar nga grupi, më pëlqeu se si të gjithë luftuan sonte.
Festa e golit? Dëshiroja fitoren, që të ktheheshim te fitoret. Jemi Inteir, kemi detyrimin që të fitojmë. Bajerni mendoj se është skuadra më e mirë në botë për intensitet loje. Por të shohësh një skuadër që vuan dhe lufton kështu, një trajneri nuk mund t’i sjellë gjë tjetër veç kënaqësisë.
Ndryshimet në portë? Onana e dija që është i fortë, por duke e parë të stërvitet, e shoh që është edhe më i fortë. Handanoviç është titullari ynë, do bëj zgjedhjet me radhë. Do të kemi alternim në portë. Por e dimë që Onana do të jetë vendimtar.
Çlirim nga trysnia? Fitoret të japin vetëbesim, kemi 12 pikë por po rritemi në aspektin individual dhe si skuadër”, tha Inzagi para kamerave.
Arena e Lajmit
