Liga spanjolle ka publikuar të premten kufijtë e pagave të klubeve të futbollit në Primera Division dhe Segunda Division në Spanjë.
Në total, në La Liga (Primera Division) kufiri i pagave ka arritur në 3 miliardë euro, kundrejt 2 miliardëve që ishte në sezonin e kaluar.
Klasifikimin e kryeson Reali i Madridit, i cili ka një limit të pagave që arrin në 683 milionë euro. Por rritjen më të madhe në këtë drejtim e ka pasur Barcelona.
Levat financiare të përdorura nga klubi katalanas me shitjen e një pjese të të drejtave televizive dhe të “Barça Studios” kanë dhënë frytet e duhura.
Barcelona, e cila ishte përtej çdo vije të kuqe të mundshme, falë manovrave financiare të presidentit Laporta, ka mundur të bëjë një kapërcim gjigant nga – 144 milionë euro në 656.42 milionë euro.
Në vendin e tretë për nga kufiri i pagave është Atletiko e Madridit me 341 milionë euro, gati sa gjysma e Realit dhe e Barcelonës. Në fund, për nga kapaciteti shpenzues, janë Elçe me 42.67 milionë euro dhe Girona me 42.74 milionë euro.
Arena e Lajmit
