Pakkush e mendonte se Erzeni do t’i bënte një start të tillë kampionatit, duke e parë veten në vendin e dytë pas katër javëve të para e duke mos pësuar gol teksa mposhti ekipe si Vllaznia e Partizani, pretendente për titull. Por një prej atyre që besonin ishte trajneri Xhevahir Kapllani, i cili pas suksesit të sotëm ndaj të kuqve në Superiore, kujtoi në “Oversport” deklaratën e parë që kishte bërë kur ishte emëruar në stolin e shijakasve.
“Në intervistën e parë si trajner i Erzenit kam deklaruar që ekipi i Erzenit nuk do të jetë kalimtar, edhe pse e di që kampionati është i fortë. E kam deklaruar që çdo ekip do të kishte vështirësitë e veta me Erzenin.
Sekreti i kësaj skuadre është grupi, kolektivi, harmonizimi i djemve, se siç e dini kemi riformatuar skuadrën. Ky është ambient i mrekullueshëm dhe kemi filluar të guxojmë për të marrë rezultat pozitiv, pavarësisht se duhet të jemi me këmbë në tokë se dihet objektivi i Erzenit.
Çfarë i kam bërë mbrojtjes? Asgjë, përveç punës së përgjithshme. Unë ndaj meritat me grupin e skuadrën, mendoj se skuadra është munduar të mbrojë në grup që nga maja e sulmit e deri te Dashamir Xhika.
Ne do të vazhdojmë punën tonë, erdhi kjo fitore historike ndaj Partizanit, ndaj një ekipi të madh pretendent për kampion, por do të vazhdojmë punën tonë. Do të jemi me këmbë në tokë, do të mundohemi të përshtatim më mirë lojtarët me njëri-tjetrin duke ditur që shumë pak kohë kanë bashkë. E kam thënë që çdo ndeshje për ne do të jetë finale, finale, finale”, tha Kapllani.
Arena e Lajmit
