Rinovimi i tij u zyrtarizua të premten, kështu që të shtunën Sandro Tonali kishte më shumë se një arsye për të festuar pas suksesit me Sampdorian. Mesfushori ka dhënë një intervistë për televizionin e klubit ku përveç kontratës së re ka zbuluar edhe objektivat me fanellën kuqezi.
E nisim me rinovimin?
Jam shumë i lidhur me këtë ambient dhe merita nuk është vetëm imja. Ndeshjen me Sampdorian e ndjeva shumë, megjithëse tifozët na dhanë shtysën e duhur. Jam i lumtur për rinovimin, por sidomos kur fitojmë. Nuk ka gëzim më të madh për mua sesa kur Milani fiton, aq më tepër kur bëhet fjalë për ndeshje të ndërlikuara si kjo me Sampin.
Sa rëndësi kanë pikët në të tilla rrethana?
Këto fitore bëjnë mirë për zemrën. E nisëm fort dhe shënuam menjëherë duke treguar se çfarë ekipi jemi. Nuk duhet toleruar kurrë, sepse pikët ndaj këtyre skuadrave rezultuan themelore vitin e kaluar, dhe e dimë, mjafton vetëm një veprim për të ndryshuar historinë e ndeshjes.
Përse kaq shumë ndërlikime?
Mëkat sepse e nisëm mirë. Kartoni i kuq ndryshoi gjithçka, por ne u treguam të zotë duke përfituar nga rastet. Vërtetë vuajtëm, por nga kjo ndeshje morëm më shumë se tri pikë, sepse dhamë gjithçka dhe u treguam të gjithëve edhe një herë se përse vjet e merituam titullin.
Jeni dakord që Milani të luajë më tre mbrojtës?
Në momentet e nevojës duhet kuptuar sa më shpejt se çfarë duhet bërë. Nëse e mira vjen nga tre mbrojtës, atëherë ashtu do të luajmë. Jemi një grup fantastik dhe besoj se u dallua nga mënyra se si u sakrifikuam për njëritjetrin.
Si ishte komunikimi me dy shokë të rinj në fushë si Pobega dhe Vranks?
Më shumë fola me Vranksin sepse është i ri në skuadër dhe kishte nevojë për më shumë këshilla. Duhej ndihmuar dhe ne e bëmë, por iu desh pak kohë për të treguar karakterin dhe forcën që ka.
Çfarë rekomandoni për De Ketelaren?
Që të luajë gjithmonë sikur të ishte një ndeshje normale. Ai ka cilësi dhe ne e kemi parë. Duhet të luajë i lirë dhe ashtu siç di.
Çfarë prisni nga sfida e radhës me Dinamon e Zagrebit?
Sigurisht që do të jetë një tjetër ndeshje intensive. Kemi punuar shumë, sidomos për gabimet tona nga ndeshjet e mëparshme. Kemi kohë për të rishikuar gjithçka. Ndoshta nuk është një garë si të tjerat, sepse vlen për Champions-in, por duhet ta çojmë fitoren në shtëpi.
Tri pikë do të përmirësonin gjendjen tuaj në grup…
Mendoj se shumica e ndeshjeve bazohen në episode dhe në ruajtjen e përqendrimit gjatë gjithë 90 minutave.
Ku mund të përmirësohet kjo skuadër?
Duhet të shfaqim intensitetin e duhur, që është baza e punës sonë. Siç thashë, kemi punuar shumë dhe përkushtimi ynë do të jetë përbërësi kryesor për të përballuar sfidat. Luajmë çdo tri ditë dhe mendoj se së shpejti do të vijnë edhe frytet e punës së bërë në fazën përgatitore. Sigurisht mund të bëjmë më shumë sepse edhe ndaj Sampit gabuam në disa situata.
Përgatiti: REINOLD BAKALLI
