Presioni bëri që të shpërdoronte mundësi të arta, Levandovski: Ishte një mbrëmje e vështirë, të shohim përpara

Të gjithë sytë të martën në mbrëmje në “Allianz Arena” ishin të përqendruar te një lojtar i vetëm, Robert Levandovski. Pas tetë sezonesh pjesë e Bajernit, ai kthehej në Mynih si kundërshtar i kampionëve të Gjermanisë me Barcelonën. Një rikthim mes shumë duartrokitjesh e një “dore” fërshëllimash.

LEVANDOVSKI

Një kthim i hidhur për të në planin sportiv, teksa Barça e tij nuk arriti të dilte me ndonjë rezultat pozitiv nga Mynihu. Polaku ishte protagonist, nuk kishte se si të ndodhte ndryshe, por këtë herë jo ashtu siç ai dhe Barcelona do të dëshironin. Një humbje 0-2 dhe për më shumë me polakun që u bë mëshiruesi i Bajernit, me të paktën tri raste të pastra të shpërdoruara në pjesën e parë. Shtatë gjuajtje drejt portës së Bajernit mbajnë firmën e tij, por për fatin e keq asnjëra prapa krahëve të Manuel Nojerit. Rastet e shpërdoruara i kushtuan jo pak Barcelonës dhe natyrisht e kanë dëshpëruar jo pak dhe vetë Levën. Sulmuesi i Barcelonës ka zgjedhur rrjetet sociale për të shprehur zhgënjimin e tij për humbjen në Mynih, por pa harruar të nënvizojë se tashmë është koha për të hedhur pas krahëve këtë humbje dhe për të menduar për të ardhmen.

“Ka qenë një mbrëmje e vështirë për të gjithë, por nuk mund të qëndrojmë duke u qarë. Tani është momenti për të ngritur kokën lart dhe për të parë nga e ardhmja”, ka qenë mesazhi i Levandovskit në rrjetet sociale për humbjes në Gjermani. Nga ana e tij, trajneri i Barcelonës, Ksavi Hernandez, u shfaq i kënaqur me rendimentin e sulmuesit të tij, duke u munduar t’i heqë sadopak barrën e gabimeve mbi supe. “Të gjithë gabojnë, por nuk mendoj se kjo erdhi si pasojë e presionit mbi të. Unë mendoj se Levës dhe ne na mungoi efektiviteti. Futbolli i tillë është, jo matematikë”, komentoi Ksavi.

LEDJO SEFERKOLLI-Arena e Lajmit

NDIQE LIVE “PANORAMA TV”


Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×