“Lufta” e produksionit me familjen e Luiz Ejllit, çfarë ndodhi mes palëve që solli reagimin e artistit

luiz-ejlli

Fama e ka ndryshuar jo pak jetën e Luizit, që pas futjes së tij në “Big Brother”. Si personazhi më i diskutuar i momentit, Luizi numëron sot miliona klikime në platforma të ndryshme.

luiz-ejlli

E nisur nga kjo famë, familja e tij ka tentuar të bëjë para. Vetëm pak javë më parë, kunati i këngëtarit njoftoi hapjen e një “GoFoundMe” për të mbledhur para për Luizin. E teksa rreth 20 mijë dollarë ishin mbledhur, produksioni ka vendosur t’i tregojë vetë artistit për atë çfarë ndodh jashtë. Pas konsultimeve me avokatë, produksioni ka vendosur të informojë Luizin për llogarinë që është hapur për të mbledhur fonde për të.

Në “Fan Club”, u transmetua komunikimi i Luizit në dhomën e rrëfimit. Pasi mësoi për llogarinë, ai kërkoi të mbyllet sa më shpejt. “Do të isha dakord të përdorej emri im që unë më pas ato fonde t’i jepja për këdo që ka nevojë. Për përfitime personale, jam kategorikisht kundër dhe nuk pranoj që të përdoret imazhi im. Unë nuk jam në dijeni se çfarë ndodh jashtë, nuk dua të kem kështu problemesh. Dua të ndalohet sa më shpejt dhe të mos përdoret më”.

Luizi po ashtu është informuar për rrjetin e tij social “Instagram”, që po keqpërdorej nga vajza, të cilës ia la në dorëzim. Luizi i kërkoi produksionit që imazhi i tij dhe rrjeti social të menaxhohet nga “Top Channel”: “Dy gjëra dua, të mbyllet ai ‘GoFoundMe’ dhe merrni ‘Instagram’-in.” Kujtojmë se pak ditë më parë, “Instagram”-i i artistit ishte kryefjala e ditës. Faqja me 670 mijë ndjekës, prej kohësh po menaxhohej nga motra e këngëtarit, por duket se produksioni ka kërkuar që ta menaxhojnë ata këtë faqe, duke qenë se edhe videot janë të këtij televizioni.

E gjitha kjo situatë, ka sjellë jo pak përplasje mes familjarëve dhe vetë produksionit, duke pasur si qëllim mbajtjen e këtij “Instagram”-i. Por duket se gjithçka është zgjidhur nga vetë Luizi, që nëpërmjet një komunikimi në dhomën e rrëfimit, ka pranuar me gojën e tij se do të donte që “Instagram”-in ta mbante “Top Chanel”. E në fakt, Luizi gjithçka që mund të thoshte ishte ajo çfarë tha, kjo për faktin se në kontratën që ai ka firmosur me “Top Media”, është e përcaktuar që imazhin e tij do ta menaxhojë televizioni. Ndërkohë, i vetmi nga familja që ka pranuar të flasë herë pas here ka qenë kunati i Luizit. Qëkur u hap “GOFoundMe”, ai sqaroi arsyet e vërteta përse duheshin këto para. Në një intervistë për “WakeUp”, ai tha se vendosën të hapin një llogari të tillë, sepse ishte dëshira e fansave të dhuronin, por jo se Luizi ka nevojë për ndihmë financiare dhe as probleme shëndetësore.

“E shikoj më se të nevojshme dhe të domosdoshme për ta sqaruar. E para, është kërkuar nga fansat në SHBA dhe jashtë Shqipërisë shumë kohë më përpara. Nuk është kërkuar kategorikisht nga familja as për arsye ekonomike, as për ndonjë arsye tjetër. Është thjesht kërkesë e fansave të tij. Disa media po e keqpërdorin këtë dëshirë të fansave të tij për të kontribuar me vullnetin e tyre të lirë. ‘GoFoundMe’ nuk është as për arsye shëndetësore, as për fatkeqësi, thjesht në Amerikë është një nga llogaritë më transparente, me emër, mbiemër dhe plotësisht e kontrolluar. Duke parë kërkesat e mëdha menduam se 250 mijë dollarë është e duhura. Përderisa ‘GoFoundMe’ për ta hapur ka numra, vendosëm këtë shifër,-tha ai.

I pyetur mbi teoritë se ky veprim po i prish imazhin Luizit dhe se çfarë do bëhet me këto para, ai tha: “Këto para i menaxhon e motra, nuk është hapur nga unë. Është hapur nga nëna dhe motra e tij. Dhe kontrollohet deri kur të dalë ai. Pasi të dalë Luizi nga BBVA, është vullneti i tij se çfarë do të bëjë me ato. Në emër të Luizit po abuzojnë shumë njerëz, edhe janë hapur shumë fondacione dhe gjëra të tilla të ngjashme, i vetmi i hapur nga ne është në ‘Instagram’-in e Luizit”. , duket se produksioni, që menaxhon tashmë imazhin e Luizit, ka vendosur që ky hap e dëmton imazhin e tij, ndaj edhe ka folur me Luizin, deri kur ky i fundit ka marrë vendimin që menjëherë kjo llogari duhet të mbyllej. Ndërkohë që ditët e fundit, ato kanë mundur të merrnin edhe “Instagram”-in, që mirëmbahej nga motra e tij.

Pas disa përplasjeve mes tyre, produksioni ia ka dalë që të mbyllë këtë faqe, e cila mbante emrin e së motrës së Luizit, duke qenë se emrin e tij nuk mund ta përdornin më. Por, edhe në këto kushte, sërish faqja është marrë, duke u përdorur si pjesë e kontratës prej 100 mijë eurosh që Luizi ka firmosur. Kur qarkulloi lajmi se Luizi ishte nën menaxhimin e produksionit, një reagim kishte edhe kunati i tij. Ai shkruan në një status se kjo është arsyeja pse janë bllokuar fotot dhe informacionet nga “Instagram”-i zyrtar i Luizit, duke shtuar se nuk i është komunikuar se në çfarë forme dhe akti juridik është kryer kjo.

“Të nderuar fansa të Luizit. Duke ju përgjigjur interesimit të madh nga ana juaj po ju informoj se nga faqja zyrtare e Luizit që menaxhohej nga shoqja dhe motra e tij, janë bllokuar fotografitë dhe informacionet e tjera që kanë të bëjnë me veprimtarinë e Luizit në ‘Big Brother’, pasi në një komunikim me produksionin e këtij ‘show’ na është njoftuar që të drejtat në lidhje me emrin dhe administrimin i kanë kaluar ‘Top Channel’. Në çfarë forme dhe akti juridik është kryer kjo, mua nuk më është komunikuar ndonjë dokument. Megjithatë në gjithë këtë histori e rëndësishme është që ne të mbështesim Luizin dhe të shijojmë lojën e tij.

Pastaj kur të përfundojë loja do të sqarohen roli dhe qëllimi i secilës palë. Edhe një herë ju falënderoj për interesimin dhe mbështetjen që keni dhënë për Luizin, shkruan ai. E kështu me deklaratën e vetë këngëtarit nga brenda shtëpisë, merr fund njëherë e mirë “lufta” për rrjetet e tij sociale. Nga ana tjetër, ajo që vëmë re është fakti se adresa e “GoFoundMe” është ende e hapur dhe ende njerëzit mund të dhurojnë, pavarësisht se Luizi e bëri plotësisht me dije se ishte kundra këtij hapi. Mbetet për t’u parë, nëse ai do të ndryshojë mendim kur të shikoj gjithçka që ndodh jashtë, sidomos me famën e tij.

NDIQE LIVE “PANORAMA TV”

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×