Përgjakja e fushatave zgjedhore/ Nga ekzekutimi i Ardian Nikulajt tek atentati ndaj kreut të PD në Vaun e Dejës, si nxit politika viktima dhe dhunë në zonat “e nxehta”

Adrian Nikulaj Ndreca

Periudha e fushatave zgjedhore nuk ka qenë kurrë e qetë në Shqipëri, madje duhet thënë se ka qenë gjithmonë një histori që ka prodhuar viktima dhe të plagosur.

Si në asnjë vend tjetër evropian, fushata përjetohet si një betejë për jetë a vdekje dhe një ndihmesë të madhe në krijimin e një klime të tillë e ka dhënë pa dyshim politika, e cila ka mbjellë pasiguri dhe konfliktualitet gjatë kësaj periudhe delikate.

Emisioni “Në Shënjestër” ka sjellë shembuj të “përgjakjes së fushatave zgjedhore” në vend dhe raste kur politika trazon ujërat duke mbjellë viktima.

Një nga këto raste është ajo e vrasjes së fundit në Shëngjin të Ardian Nikulajt, një politikan lokal, shumë pak ose për të mos thënë aspak i njohur në qarkun mediatik të Tiranës.

Por ndërsa ruante këtë status-quo, edhe pse një zyrtar vendor, ai nuk ishte aq i panjohur për politikën qendrore, e cila mesa duket kur vinte puna te zgjedhjet në qarkun e Lezhës, trokiste gjithmonë në derën e tij për t’i kërkuar votën.

Gjë të cilën ai e dinte dhe e shfrytëzonte shumë mirë, duke krijuar kështu një shartim midis atij që quhet politikani lokal dhe njeriut të punëve të biznesit.

Profile këto që i vinin në ndihmë për t’i veshur dy kostumet, në një të vetëm, por edhe për t’i dhënë pushtetin e duhur, për të qenë një lojtar i rëndësishëm në zgjedhje, ashtu sikurse e shikonin edhe në Lezhë.

Nikulaj kishte krijuar influencën e tij si te njerëzit e fuqishëm të politikës vendore, ashtu edhe te vetë njerëzit që shikonin te ai, njeriun që u vinte në ndihmë sa herë ata kishin nevojë, borxhe apo ndere të cilat ai thuhet se shpesh nuk ua kërkonte në vazhdim.

Kështu njihej Ardian Nikulaj në rrethin e gjerë të njerëzve deri ditën e tij të fundit të jetës.

Të mërkurën, e datës 19 prill 2023, në orën 10.00, ai zbriti në mënyrë të përpiktë, në lokalin në pronësi të tij.
Zakon ky të cilin mesa duket e respektonte me fanatizëm.

Edhe diën e vrasjes, ai zbriti i përpiktë nga kati i shtatë i ndërtesës ku jetonte, për t’u ulur në tavolinën e tij, në lokalin ‘Coral’, zakon që mesa duket ia njihnin edhe njerëzit të cilët i ishin vënë pas për ta eleminuar.

“Ardiani banon në katin e shtatë të objektit ku ndodhet edhe lokali ‘Coral’. Ai zakonisht vinte tek lokali rreth orës 10:00, ku qëndronte deri në drekë, ku takonte njerëz të ndryshëm për punë apo nevoja që kishin dhe më pas hante drekë në lokal. Sot (19 prill) Ardiani ka ardhur tek lokali rreth orës 10:00, ku është ulur në tavolinë fillimisht vetëm dhe më pas kanë ardhur edhe persona të ndryshëm që nuk i mbaj mend”, thuhet në dëshminë e banakierit.

Sipas dëshmisë në vazhdim të banakierit të restorantit ku ndodhi krimi, ekzekutimi ishte aq i shpejtë sa as ai, as viktima, nuk patën mundësinë të reagonin, gjë që u pa edhe nga pamjet filmike të transmetuara gjerësisht në media.

Pamjet treguan momentin se si autori hyri nga një derë anësore e restorantit dhe pas shkëmbimit të përshëndetjes me personat e pranishëm, u afrua dhe qëlloi disa herë me pistoletë pronarin e restorantit, Ardian Nikulaj, i cili nuk pati asnjë mundësi t’i shpëtonte plumbave.

“Rreth orës 12:30- 13:00, kohë që kam qenë në banak, kamerieri ka qenë pranë meje dhe i ulur në tavolinë.

Ndërkohë që përballë banakut ka qenë i ulur vetëm pronari, Ardiani, i cili ishte i përqendruar tek telefoni që kishte në dorë.

Në këtë kohë në lokal ka hyrë një person mashkull, i cili mbante veshur një veshje të trashë dhe një jelek pune jeshil sipër rrobave, ndërsa në kokë kishte skafandër dhe në dorë kishte një çantë, me rrip të lidhur në trup”, dëshmon banakieri.

Rëndësia e kësaj ngjarje qëndron në faktin që nuk u ekzekutua thjeshtë një biznesmen, por një person i lidhur ngushtë me politikën lokale, madje e një njeriu që ishte faktor në zgjedhjet lokale në Bashkinë e Lezhës.

Kjo, pasi Ardian Nikulaj, ishte një prej eksponentëve kryesorë të Partisë Socialdemokrate në Lezhë, një parti pranë të majtës në pushtet, e cila ka ndikim të rëndësishëm në zona të tilla si Lezha apo Shkodra.
Por biznesmeni i vrarë Nikulaj, përpos drejtimit të Partisë Socialdemokrate, ishte edhe kandidat për këshilltar bashkiak në zgjedhjet e 14 majit, në Bashkinë Lezhë.

Ndërsa në vitin 2021, ai kishte kandiduar edhe si deputet në siglën e PSD, për qarkun Lezhë, por pa mundur të sigurojë një ulëse në parlamentin shqiptar.

“Pasi u afrua pranë banakut, personi që hyri me skafandër në lokal, më përshëndeti mua dhe kamerierin. Në këtë çast unë dhe kamerieri po bisedonim me njëri- tjetrin dhe nuk e kishim shumë mendjen tek personi në fjalë.
Më pas unë vura re se personi që u afrua tek tavolina ku ndodhej Ardiani pasi nxori armën nga çanta, filloi të qëllojë me pistoletë në drejtim të tij.
Unë u ula poshtë banakut dhe kam dalë nga magazina në të djathtë të banakut, ku qëndrova deri sa pushuan të shtënat. Më pas u ktheva përsëri në lokal ku e gjeta Ardianin të gjakosur në kokë dhe pa shenja jete”, thuhet në dëshminë e banakierit.

Por siç e thamë, Ardian Nikulaj nuk ishte një personazh i çfarëdoshëm në zonën e Lezhës.
Krahas bizneseve dhe staturës si politikan vendor, ai ishte një njohje e ngushtë edhe e disa personazheve me raporte jo shumë të mira më drejtësinë.

Një lloj paqtuesi, që krahas punëve të tij, bënte edhe ndërmjetësin e shuarjes së gjakrave midis eksponentëve të ndryshëm të pushtetit politik por edhe të krimit në Lezhë.

Nikulaj, nuk ishte vetëm biznesmen dhe politikan lokal, por edhe dorëzanë i shuarjes së konflikteve në Lezhë.

Një qark shumë i nxehtë, me një vijë bregdetare të lakmueshme, ku rrotullohen shumë interesa, me prishjen e të cilave kanë sjellë me kohën edhe shumë përplasje, si edhe viktima në kupolën e pushtetit të qytetit.

“Unë isha te dera dhe me fytyrë nga Ardiani, kur nga prapa, nga e djathta ime, erdhi një burrë i gjatë i veshur me pantallona me xhepa, i cili sipër kishte një jelek të verdhë të ndezur dhe në kokë mbante një kasketë të zezë. Ai ishte i gjatë 1.85 cm dhe kishte një zë të trashë, theksin nuk e mbaj mend, por veç më tha: ‘Largohu’”, thuhet në dëshminë e kopshtarit.

Por Ardian Nikulaj, duket se i kishte parandierë hijet e dyshimta që po lëviznin rreth tij, ndaj kishte marrë edhe masat për t’u mbrojtur,

Së fundmi ai lëvizte me një automjet të blinduar, çka do të thotë se ai ishte i njohur me rrezikun që i kanosej.

Por për grupin hetues kjo është vetëm një nga pistat.
Pista ku është ndalur prokuroria është ajo e gjakmarrjes mes fiseve Nikulaj dhe Lekstakaj që ka prodhuar shumë viktima.

Një përplasje që nisi pas një sherri në një karburant në pronësi të Çulaj.

Bëhet fjalë për vitin e largët 1997, kur fill pas këtij debati u ekzekutua Pëllumb Nikulaj, vëllai i Ardian Nikulaj dhe një pjesëtar i fisit tjetër.

Shtatorin e po atij viti, u vranë Gëzim Lekstakaj i njohur si Raci dhe Laurent Gjetja, i biri i poetit të njohur, të ndjerit Ndoc Gjetja. Lekstakajt, akuzuan Nikulajt. Dy vite më vonë, pjesëtarët e familjes Lekstakaj, vihen sërish në shënjestër.
Në mars të vitit 1999, vritet Gjovalin Lekstakaj dhe plagoset.

Edhe pse ekzekutimi nuk të lë asnjë mëdyshje se organizimi i kalon fuqitë e një apo disa familjeve të zakonta.

Për më tepër në një personazh si Ardian Nikulaj.

Policia thotë se ka mundur të identifikojë dhe shpallë në kërkim anëtarët e grupit kriminal që
ekzekutoi biznesmenin dhe dyshimet janë për motive gjakmarrje.

Sipas të dhënave, ekzekutori është shtetas i huaj, ndërsa si vëzhgues ka shërbyer një shtetas britanik, i cili është larguar më pas nga vendi.
Policia thotë se ka siguruar prova edhe për organizatorët dhe financuesit e vrasjes së politikanit vendor, vrasja e të cilit do të duhet të kërkonte një infrastrukturë dhe investim të konsiderueshëm në para, për të kryer eliminimin e tij.
Pavarësisht se dyshimet flasim për një vrasje për motive gjakmarrje, sigurisht që sfondi politik në të cilin ndodhi ngjarja, mund të ndikojë fort në rezultatin e zgjedhjeve,

Siç dihet në zgjedhjet e fundit ai kishte vendosur të mbështeste kandidatin e koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ në Lezhë.

Fakt ky që u pranua në një komunikim për shtyp edhe nga ish kryeministri Sali Berisha, i cili e cilësoi, vrasjen e Nikulajt, si një vrasje politike.

“Ky krim i shëmtuar ndodh tre ditë pasi Edi Rama hapi fushatën në Lezhë dhe pasi viktima, i ndjeri Nikulaj, kishte bërë të qartë publikisht se ai ishte kundër kandidaturës së Rilindjes, Pjerin Ndreu, duke dalë kështu haptazi kundër aleancës Rama-Doshi dhe linjës zyrtare të partisë së tij. Ndërkohë mësohet se ditët e fundit ai ka marrë kërcënime të përsëritura nga mjedisi banditesk i kriminelëve elektoral Manja-Ndreu, drejtues (kapobanda) kryesore të Rilindjes për Qarkun e Lezhës.

Duke i shprehur ngushëllimet familjes së të ndjerit, PD dënon me ashpërsinë më të madhe ekzekutimin e politikanit lokal dhe biznesmenit Ardian Nikulaj si një akt të shëmtuar kriminal në fushatë elektorale dhe me sfond politik nga falangat e krimit të lidhura direkt me qeverinë”, deklaroi Berisha.

Por ndërsa Berisha e cilësoi si vrasje politike atë të Nikulaj, maxhoranca në pushtet duke kërkuar zbardhjen e ngjarjes, e quajti neveri dhe përçmim deklaratën e Berishës.

“Në radhë të parë jemi shqiptarë më pas aleatë politikë apo edhe kundërshtarë politikë.

Në rastin konkret duhet të bashkohemi në një kërkesë, të zbardhjes së ngjarjes dhe vënies së autorëve të këtij krimi të shëmtuar para drejtësisë.
Lidhur me akuzat e djeshme kam neveri dhe përçmim. Sepse janë të njëjtët njerëz që vëllavrasjen, nxisin e përçarjes dhe përdorimin e viktimave për qëllime personale e kanë pasur pjesë të ADN-së së tyre politike këtu e 32 vjet. Ndjej vetëm neveri, por është momenti të ftoj organet ligj zbatuese që të zbardhin ngjarjen dhe autorët të shkojnë para drejtësisë”, deklaroi ministri Ulsi Manja.

I përfolur direkt nga Berisha si i interesuar politikisht për eleminimin e Nikulaj, kandidati i maxhorancës për Bashkinë e Lezhës, Pjerin Ndreu, hodhi poshtë këto akuza duke kërkuar menjëherë zbardhjen e vrasjes.

“I tronditur nga ngjarja e sotme në Shëngjin ku ngeli i vrarë Ardian Nikulaj, biznesmen dhe anëtar i këshillit bashkiak!
Një ngjarje e tillë është cënim i rëndë i rendit dhe sigurisë publike në qytetin tonë!
Kërkoj me forcë nga organet e rendit dhe prokurorisë që të zbardhin sa më shpejt ngjarjen, për të vënë përballë ligjit autorët e kësaj ngjarje të shëmtuar!
Shpreh ngushëllimet e mia familjes se tij dhe të afërmeve për këtë humbje kaq tragjike!”, tha Pjerin Ndreu.

Por përse Lezha është gjithmonë një minë me sahat që mund të shpërthejë nga momenti në moment, kur bëhet fjalë për fushatat zgjedhore?
Çfarë e bën këtë zonë kaq të nxehtë?

Dhe pse politika, edhe ajo qendrore, është kaq e interesuar në këtë qark, duke i dhënë vëmendjen maksimale?

Përtej çdo aludimi, faktet tregojnë që pragzgjedhjet në Lezhë, apo edhe vetë dita e votimit në këtë qytet është shoqëruar me tensione të larta, deri edhe në përdorimin e armëve.

Siç ishte plagosja ditën e votimit, më 25 qershor 2017, e aktivistit të LSI, Florian Dushku, i cili nga opozita u tha se u qëllua me armë zjarri nga njerëz të lidhur me maxhorancën.

Ndërsa në këtë ngjarje, mbeti i plagosur rastësisht edhe një person i dytë.

Por vrasja e Ardian Nikulaj në Shëngjin, nuk ishte ngritja e perdes së përgjakshme që shoqëron zgjedhjet në Shqipëri, në këtë rast edhe ato të 14 majit, për zgjedhjet lokale që në fakt janë kthyer në zgjedhjet më të rëndësishme politike, të 30 viteve të fundit.
Benard Ndreca, i cili drejton degën e Rithemelimit të Partisë Demokratike, në Vaun e Dejës, po dilte si zakonisht nga banesa e tij mëngjesin e datës 12 prill.

Siç u pa edhe nga pamjet e transmetuara gjerësisht nga media, ai po bëhej gati të linte banesën, kur makina e tij shpërtheu në tym, si pasojë e një sasie lënde plasëse të vendosur poshtë mekanizmit ndezës të automjetit.

Lëndë plasëse e cila nga verifikimi i kamerave të sigurisë u konstatua që ishte vendosur nga dy persona, të cilët në orët e para të mëngjesit, kishin hyrë në oborrin e banesës dhe qetësisht montuan lëndën shpërthyese.

Fatmirësisht politikani vendor doli i palënduar nga ky atentat, ndërkohë që ngjarja në vetvete, ktheu edhe njëherë vëmendjen te ajo që po ndodh në zonën e veriut të Shqipërisë.
Ku klanet kriminale të lidhura me politikën, luftojnë fort për dominancë në çdo bashki, qoftë kjo edhe me rëndësi të vogël si ajo e Vaut të Dejës.

“Në momentin që ka lëvizur makina nga vendi aty ka qenë shpërthimi. Skam konflikte me asnjë, kjo është e përdorur politikisht.

S’më është vendosur mua por kreut të PD së Vaut të Dejës sepse këtu janë të organizuar mirë.
S’kam përplasje, as kërcënime. Janë parë pamjet, vijnë dy persona, në orën 1:15 të natës, rreth 7 minuta aty, vendosin eksplozivin dhe largohen. Janë të maskuar.

Thirrja ime është, duke filluar që nga kryeministri: Të distancojnë policinë nga politika. Lërini njerëzit të votojnë të lirë.

I bëj thirrje çdo lloj kahu politik, se vullneti i njerëzve dihet se ku shkon, nuk i mbani dot bashkitë e vendeve me presion”, dëshmon Benard Ndreca.

Edhe pse akti u dënua gjerësisht nga politika, vetë ngjarja mbetet edhe sot e pazbardhur.
Pavarësisht se grupi hetues, ka të dokumentuar autorët e ngjarjes.

Ndërkohë që edhe në atentatin ndaj Benard Ndrecës, politika akuzoi njëra-tjetrën për sulmin.

Duke treguar se 30 vite nuk janë të mjaftueshme për të votuar të lirë, por në emër të votës ende edhe mund të vritet në Shqipëri.

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×