
Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi e quajti fashist vendimin e Byrosë për të lënë në fuqi përjashtimin e gjashtë përfaqësuesve të PD-së në seancat e Kuvendit dhe komisionet parlamentare.
Në një deklaratë për mediat, ai tha se Garda u urdhërua të ushtronte dhunë fizike ndaj deputetëve duke i ndaluar të futeshin në Parlament.
“Me një vendim fashist maxhoranca e Ramës përjashtoi deputetët e Kuvendit nga pjesëmarrja në seancë dhe komisione. Kjo është në vazhdën e përjashtimeve të 3 seancave të fundit ku mbi 20 deputetë janë përjashtuar se kërkojnë një të drejtë kushtetuese, kontrollin e qeverisë. Kemi kërkuar ngritjen e një komisioni hetimor për të hetuar skandalin më të paprecedentë, ku kryeministri përmes korruptimit të McGonigal synoi të shkatërronte demokracinë duke goditur opozitën”, tha Bylykbashi.
Sipas tij “ne kërkojmë të hetohet në themel afera e Ramës me Mcgonigal, Duçkën, Nezën dhe Deripaskën. Këtë kemi kërkuar gjithë këto kohë dhe për këtë arsye deputetët e opozitës janë të përjashtuar. Ne përfaqësojmë mbi 750 mijë zgjedhës. Kemi vendosur të mos ketë seanca normale të Kuvendit pa u garantuar kjo e drejtë kushtetuese. Kemi kërkuar sot që vendimi që na përjashtoi të anulohej si anti-kushtetues dhe i paligjshëm. Garda u urdhërua të ushtronte dhunë fizike ndaj deputetëve”.