Tedi Cara ishte protagonist në minutën e 14-të me një gol shumë të bukur nga goditja e dënimit, por e shijoi vetëm për pak sekonda, sepse në momentin kur po shkonte të festonte te pankina, u godit nga një shishe dhe u gjakos.
Cara pas ndihmës së parë të mjekëve
Ai tregon se ka tri të çara në fytyrë dhe shtatë qepje gjithsej, teksa zbulon edhe detajin se shishja ishte me akull, çka e bën edhe më të dhunshëm këtë akt të tifozit, i cili nuk është identifikuar ende. Në intervistën për “Panorama Sport”, kavajasi theksoi se ka rezerva edhe për veprimet e policisë.
Fillimisht, a jeni më mirë, si është gjendja juaj?
Tani sapo kam mbaruar tërësisht trajtimin nga mjekët dhe jam më mirë, jam stabilizuar dhe kam marrë edhe medikamentet e nevojshme.
Sa të qepura keni në fytyrë?
Kam shtatë të qepura gjithsej në tri pjesë të ndryshme. Te vetulla, poshtë syrit dhe në faqe, afër pjesës së buzës.
Sa larg syrit është e çara? Keni rrezikuar?
Shumë afër, për pak mund të kapte edhe syrin. Fatmirësisht shpëtoi.
Çfarë sendi ishte ai që u hodh drejt jush?
Mesa arrita të dalloj dhe mesa më thanë edhe shokët, ishte një shishe plastike uji, e mbushur me akull. Prandaj edhe të çarat ishin në këtë masë, sepse po të ishte një shishe me ujë të lëngshëm, nuk do të kisha aq të çara. Mjekët në atë moment u habitën, sepse nuk e menduan se si një shishe uji mund të shkaktojë një të çarë të tillë, në tri pozicione. Por ajo kishte qenë me akull.
Si u mor vendimi për të shkuar në spital?
E morën mjekët bashkë me drejtorin Marini, i cili gjithashtu sugjeroi të veprohej kështu.
Pas portës ishin tifozët dhe nga ana tjetër pankina. Përse zgjodhët të festonit te pankina?
Unë mendova që ta festonim atë gol të gjithë si ekip dhe kjo ishte edhe arsyeja përse iu drejtova pankinës në atë moment.
Si e përjetoi familja?
Me familjen kam kontaktuar direkt pas ngjarjes. Pasi ndodhi i kam marrë me “video-call” direkt dhe u qetësuan. Ishin të trembur disi, por pasi i mora me kamerë dhe i tregova se kisha vetëm një të çarë, u qetësuan.
Keni një mesazh për të dhënë që këto incidente të mos përsëriten?
Padyshim mendoj se të tilla ngjarje nuk duhet të ndodhin nga tifozët, por edhe policia duhet të jetë më korrekte në detyrën që bën, sepse po të kishte ndodhur kështu, do të ishte shmangur ky episod.
Mesa di, nuk lejohen shishet me tapë, aq më shumë me akull. Këto ngjarje na rrezikojnë karrierën ne lojtarëve, por edhe një fëmijë që aspiron të bëhet futbollist dhe më sheh mua të përfundoj në atë gjendje në një ndeshje futbolli, padyshim që do të ketë merak dhe dyshim për të vazhduar futbollin. Këto raste duhen minimizuar me patjetër.
Përveç kësaj, shënuat një gol shumë të bukur. Përtej dëmtimit, sa ju gëzon goli?
Isha shumë i lumtur në atë moment, por që nuk arrita ta gëzoj gjatë. Unë i kisha praktikuar shumë goditjet e lira në stërvitje dhe trajneri kishte besim tek unë. Kur po i shënoja radhazi në stërvitje, trajneri më tha se nëse i gjuan kaq mirë faullet, do t’i godasësh edhe në ndeshje dhe besoi se do t’i shënoja. Dhe fatmirësisht e bëra.
Pra, e vendosi trajneri që do ta gjuani ju goditjen e dënimit?
Para dy-tri ditësh po i praktikoja këto goditje dhe trajneri më pa e më paralajmëroi se do të isha unë ai që do t’i godisja edhe në ndeshje. Edhe kur erdhi momenti i goditjes, ai thirri që nga faulli emrin tim dhe unë e mora topin e godita.
Katër fitore në pesë ndeshjet e para, a e prisnit këtë start?
Për mua ishte e pritshme, sepse e njoh ekipin dhe mund të them se është një ekip shumë i mirë këtë sezon. Sot kishim disa mungesa dhe ata që i zëvendësuan ishim djem të rinj dhe e justifikuan siç duhet besimin. Nuk e prisnim humbjen me Erzenin, por që e kthyem me këtë fitore sot në Kukës.
Do të jeni gati për derbin? Dhe si e prisni këtë ndeshje?
Unë do të jem gati për derbin, edhe ekipi është gati. E dimë se është një ndeshje e vështirë, por si gjithmonë derbi luhet për t’u fituar dhe ne do të hyjmë për ta arritur këtë.
DENIS LALA – Arena e Lajmit
LEXO EDHE:
VIDEO/ Shënoi supergol ndaj Kukësit, Tedi Cara goditet me shishe nga tifozët verilindorë dhe gjakoset
U godit me shishe në fytyrë pasi shënoi, ja gjendja e Tedi Carës
Gjakosja e Tedi Carës nga tifozët, ja çfarë dënimi rrezikon klubi i Kukësit
U gjakos sulmuesi i Partizanit, Kukësi reagon kundër tifozëve të vet: Ngjarje e turpshme, kërkojmë falje
Shtatë qepje në fytyrë, Braçe publikon foton e frikshme të Carës: Futboll dhe gjak! Pse duhet të jesh i pasigurt nga dhuna e shkallëve?
“Tri pjesë të çara në fytyrë”, Tedi Cara rrëfen momentet e panikut në Kukës: Ja si qendron e vërteta…
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
