Partizani i këtij sezoni po jep rezultate në fushë, por jo vetëm. Strategjia e funksionimit të klubit, me hyrjen në kompleksin e klubit, ka ndryshuar rrënjësisht. Ndryshe nga sezonet e kaluara, ku ekipet zinxhir nuk shiheshin aspak si një fabrikë talentesh për ekipin e parë, tashmë ngjarjet po rrjedhin ndryshe.

Trajneri Kolela, në bashkëpunim me drejtuesit, i shohin tashmë lojtarët e ekipit të dytë si pjesë të rëndësishme të klubit dhe në këto javë të para i kanë dhënë një hapësirë të konsiderueshme, prandaj në këtë pikë, mund të themi se Kolela është aktori kryesor i një revolucioni mbi ndërtimin dhe ingranimin e talenteve në ekipin e parë. Dëshmi e qartë e kësaj është fati se në 5 ndeshjet e para të këtij sezoni, Partizani ka aktivizuar plot 5 të rinj, dy prej tyre edhe si titullarë.
PAULO BUXHELAJ – Vlonjati është padyshim një nga surprizat më të bukura të kësaj nisjeje sezoni. Mbrojtësi i majtë ka bërë paraqitje fantastike dhe ka fituar menjëherë simpatinë e Kolelës, duke nisur si titullar plot 4 prej 5 sfidave të para. Djaloshi ishte pikërisht ai që dhuroi edhe asistin e golit të Skukës në ndeshjen e parë ndaj Erzenit.

XHAFER HODO – Mesfushori i avancuar është grumbulluar dhe aktivizuar edhe vitin e shkuar nga ish-trajneri Mehmeti, por Kolela duket se po i beson më shumë. Mungesat e Hotit dhe Da Silvës në ndeshjen e fundit ndaj Kukësit i dhanë shansin të luajë ndeshjen e parë si titullar me fanellën e Partizanit dhe bëri paraqitje dinjitoze.

KLEVIS DRAGAJ – Ish-sulmuesi i Shkëndijës së Shkodrës spikat prej kohësh me ekipin e dytë të “demave” dhe Kolela dalëngadalë po e bën pjesë të ekipit të parë. 19-vjeçari ka luajtur në dy ndeshje deri më tani, pa arritur të shënojë apo asistojë. Megjithatë, eksperienca e marrë me ekipin e parë është shumë e vyer për të riun.

GALIP ARAPI – Mesfushori 21-vjeçar është rritur në Itali si futbollist dhe iu bashkua ekipit të dytë të Partizanit vetëm në këtë verë. Megjithatë, ai ka arritur ta impresionojë shpejt stafin teknik dhe ka fituar debutimin. I riu u aktivizua në 11 minuta ndaj Erzenit.

LEART ZEKOLLI – Sulmuesi është një rast i ngjashëm me Arapin. Djaloshi nga Kosova ishte pjesë e Besës vitin e shkuar dhe nga janari deri në verën e 2022-shit luajti me Zmaj Makarskën në Kroaci. Edhe 21-vjeçari ka mundur ta bëjë shumë shpejt kapërcimin nga ekipi i dytë në të parin. Ai luajti 3 minuta ndaj Kukësit, kur zëvendësoi Skukën.

DENIS LALA – PANORAMASPORT.Al
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
and then