“Gjermania është gjithmonë favorite”, mesfushori i “Panzerave” me objektiva të qarta: E kemi në gen suksesin

Joshua Kimish ka dalë në një deklaratë për shtyp në prag të ndeshjeve të Ligës së Kombeve, aty ku kombëtarja gjermane do të duelojë me kundërshtarë si Hungaria dhe Anglia. Fillimisht ata do të ballafaqohen në “Redbull Arena” ndaj “hirushes” së grupit, e cila mban vendin e parë, për të udhëtuar më pas drejt Londrës me misionin historik, mposhtjen e “Tre Luanëve”, ku “beteja” është më shumë sesa thjesht e vjetër.

kimish

27-vjeçari gjerman u ndal gjatë në objektivat e ndeshjes së ardhshme, botërori dhe pritshmëritë, pa lënë mënjanë situatë në Mynih: “Futbolli po na vërteton çdo ditë që kalon se ai fitohet në fushë, shembulli më i qartë është kombëtarja hungareze, e cila kryeson me meritë dhe e ka treguar se mund t’ia dalë edhe pa pasur yje në gjirin e ekipit. Por kjo nuk do të thotë se do të kënaqemi me vendin e dytë. Kombëtarja jonë e ka në gen suksesin dhe dy ndeshjet në vijim do të na shërbejnë për ta vërtetuar se ne nuk e kemi humbur ende këtë identitet”.

Mesfushori i bavarezëve gjeti rastin të tregonte edhe pritshmëritë rreth kombëtares së tij në Kupën e Botës “Katar 2022”: “Të gjithë jemi koshientë se kombëtarja është në një periudhë tranzicioni kur shumë lojtarë të rinj i janë bashkuar grupit, por ne kemi edhe futbollistë me përvojë, të cilët do të shërbejnë si model te talentet tanë. Nuk duhet të harrojmë peshën që kjo fanellë zë në arenën ndërkombëtare, pavarësisht kundërshtarit dhe fazës në të cilën ndodhemi. Botërori i 2018- ës pasqyroi një përfaqësuese ndryshe, askush nuk mund ta besonte që ne u eliminuam nga faza e grupeve. Por çdo e keqe ka një të mirë dhe ajo e mirë mund të shërbejë për të kuptuar veten dhe mësuar nga gabimet e së shkuarës. Jam i bindur se ai grup ishte i talentuar, por euforia bëri punën e vet dhe në fund ndodhi e paimagjinueshmja”, pohoi Joshua.

Gazetarët nuk mund t’i linin me aq replikat ndaj lojtarit të klubit më të titulluar në Gjermani, duke e bezdisur në lidhje me krizën e klubit të tij dhe se a mund të ndikojë kjo performancë e dobët nga bavarezët te kombëtarja e “Pancerave”, marrë në konsideratë se boshti i të besuarve të Flikut vjen nga klubi i Julian Nagelsmanit.

“I gjithë ambienti në Mynih nuk është i lumtur pas gati një muaji të vështirë në kampionat. Gjithçka ndryshoi aq shpejt në performancën e ekipit nga ai start i furishëm. Mund të hedhim shumë hipoteza se nga vjen problemi, por ajo çka mund të them me bindje është se klubi do të rikthehet shumë shpejt dhe do të vërtetojë se këto ndeshje ishin thjesht kalimtare, asgjë më tepër. Të gjithë kemi ato momentet ku nuk e ndiejmë veten në formë dhe pësojmë disa luhatje, por ama pa u kthyer në trend. Kanë kaluar vetëm 7 javë dhe jemi 5 pikë më pak se kryesuesit e Union Berlin. Pra, pavarësisht asaj se çfarë ka ndodhur, ne sërish jemi aty. Për pjesën e ndikimit të kombëtares nga situata jonë në kampionat, nuk mund të specifikohet. Statistikat janë fakte të pakundërshtueshme dhe janë ato që na tregojnë se Bajerni ka prodhuar volum në masë në 4 takimet e fundit në Bundesligë, por loja në varësi të rezultatit nuk ka qenë koherente”, përfundoi me nota shpresëdhënëse motori nga armata bavareze.

Në këtë nisje sezoni, Kimish ka treguar reflekse të shkëlqyera në rolin e asistuesit, ku statistikat rrëfejnë se në 11 ndeshje me kampionët e 10-fishtë radhazi në Bundesligë, ka tundur 2 herë rrjetën kundërshtare dhe ka shërbyer në 4 raste ndaj shokëve të skuadrës.

Të dhënat në fjalë përfshijnë takimet në kampionat, Champions, Superkupë dhe Kupë.

Arena e Lajmit

NDIQE LIVE “PANORAMA TV”


Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×