Dy gola larg rekordit dhe tetë javë larg Botërorit. Olivie Zhiru ndjek ëndrrat në kombëtare, por trampolina kryesore mbetet Milani. Pesë gola në 9 prezenca kuqezi mes kampionatit dhe Champions-it, por edhe dëmtimi i Benzemasë bënë që 35-vjeçari të shijonte kombëtaren.
Një gol ndaj Austrisë që rrit shanset për një fanellë mes 23-ve për Katar. Sulmuesi ka dhënë edhe një intervistë ku lidh ngushtë klubin me një vend mes kampionëve të Botës.
Një tjetër gol dhe Henri që bëhet më i prekshëm?
Përgjegjësinë për të shënuar e kam ndier gjithmonë e kudo që kam qenë. Sidomos në kombëtare. Falë punës te Milani po ndihem shumë mirë fizikisht. Po kaloj një periudhë pozitive. Shënoj në klub dhe po ashtu për Francën. Gjithçka po rrjedh si duhet dhe uroj që të vazhdojë më gjatë.
Publiku francez ju brohorit kundër Austrisë njësoj siç bëjnë te Milani…
Milanistët më kanë birësuar. Gjithmonë thurin kore për mua, por unë preferoj atë kushtuar derbit (E ktheu Zhiru). Entuziazmi italian, e sidomos ai milanist është ndier më shumë në muajt e fundit kur udhëtonim drejt titullit e sidomos kur e fituam.
Më mirë të shënosh për Milanin apo në kombëtare?
Goli është gëzim unik dhe nuk mund t’i krahasoj golat e një skuadre që kam adhuruar gjithmonë me ato që shënoj për vendin tim. Janë kënaqësi të mëdha, por unë do të veçoja si emocione ato të Kupës së Botës. Ishte kënaqësi t’u dhuroja gëzim bashkëkombësve të mi.
Cilat janë planet tuaja?
Mendoj për ndeshjen e radhës me Danimarkën e pastaj do të rikthehem në klub. Dua të jap gjithçka për Milanin dhe të arrij që me paraqitjet e mia në klub të arrij kombëtaren. Nuk jam grumbulluar kohët e fundit sepse trajneri më ka shpjeguar se ka ndërtuar një hierarki. E respektoj, por do të bëj gjithçka për të marrë pjesë në atë që do të ishte për mua pjesëmarrja e tretë në një Kupë të Botës.
Në Serinë A po hasni shumë konkurrencë. Sa shanse ka Milani për titullin?
Jemi kampionë në fuqi dhe është detyra jonë që të përpiqemi të fitojmë. Vërtetë ka konkurrencë, por edhe ne jemi rritur në cilësi dhe vetëdije mbi forcat tona. E sigurt është që do të luftojmë deri në fund.
Arena e Lajmit
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
