
Kryeministri Edi Rama është justifikuar sot në Parlament se akt akuza ndaj ish agjentit të FBI-së, Charles McGonigal , është asgjë më shumë sesa një raportim korrekt i takimeve të zyrtarit amerikan në Tiranë.
Në fjalimin e mbajtur gjatë mocionit me debat Rama tha se në akt akuzë thuhet vetëm që personi A ka marrë një material nga zyra e kryeministrit për çështjen e financimit të PD-së me para ruse, por shtoi se i vetmi person i cili është në hetim për këtë çështje është McGonigal.
Edi Rama: Prej javësh ka shpërthyer një kanal ujërash të zeza në përpjekje për të shfrytëzuar politikisht një proces gjyqësor në SHBA që s’ka asnjë lidhje me Shqipërinë, qeverinë dhe mua personalisht. Çfarë ka ndodhur konkretisht? Një ish zyrtar i lartë i FBI, ish shefi i kundër inteligjencës amerikane në Nju Jork akuzohet për një bashkëpunim të paligjshëm me oligarkun rus Deripaska. Gjatë hetimeve prokurorët kanë konstatuar edhe një sërë shkeljesh që lidhen me udhëtimet e McGonigal ku akt akuza shënon se ka vizituar Shqipërinë dhe është takuar me mua. Akt akuza nënvizon se ka marrë para borxh nga personi A. Në rreshtat e akt akuzës përmendet edhe hetimi amerikan i parave ruse të PD-së ku shënohet edhe që personi A ka marrë një material nga zyra ime për këtë çështje. Akt akuza flet edhe për një person B këshilltar i jashtëm i imi disa vite më parë. Procesi nuk ka asnjë të akuzuar tjetër përveç McGonigal.
Pavarësisht se pas një hetimi të gjatë për të cilin kam marrë vesh vetëm kur jam pyetur nga një gazetar amerikan i Insider, në të gjithë rreshtat e akt akuzës nuk ka asnjë akuzë dhe asnjë të dhënë tjetër përveç raportimit korrekt të takimeve të mia me zyrtarin e lartë amerikan, apo faktin e vërtetë se ai ka folur me mua për rrezikun rus.
Dihen, njihen dhe shquhen botërisht për nisma të kësaj natyre ata që më akuzojnë mua në këtë sallë. Janë po ata që kur ishin në pushtet i kanë bërë të gjitha të zezat dhe jo vetëm s’ka nevojë për shumë shpjegime rreth tyre, por unë skam ardhur sot dhe s’do të vijë më për ta. Këtu do vijë sa herë të jetë nevoja për respekt të zgjedhësve që përfaqësoj dhe në respekt të deputetëve të shumicës që s’mund t’i lija vetëm.
“Jashtëqitje masive e kombit e ndarë përgjysmë”, Rama ironizon opozitën: 14 maji, humbja më e madhe e dekadave për ne. Përveç Tiranën e Vlorës, do fitoni dhe Uashingtonin
Kryeministri Edi Rama nga foltorja e Kuvendit ka ironizuar opozitën, ndërsa ka bërë me dije se s’do të merret më me kundërreagime ndaj akuzave që behën në drejtim të tij. Ai tha se ka hequr dorë nga këto debate, që sipas tij janë shterpë. Duke mos i kursyer ironitë, Rama theksoi se në zgjedhjet 14 majit do të jetë humbja më e madhe për PS-në, pasi opozita do të marrë jo vetëm Durrësin, Tiranën, Elbasanin, por dhe Uashingtonin.
“E kam menduar prej kohës, e kam thënë, përpara se të niste kjo zallamahi se s’do e furnizoj më me energjinë time zjarrin e politikë së përplasjes dhe zhurmës. Nuk kam më dëshirë që të armatosem përditë me fjalorin ulës. Janë ca dhe cika që përsërisin vetveten. Fatkeqësisht jam përfshirë me zell dhe me zjarr për ditë dhe për shumë vite në këtë palo luftë. Jam bërë pjesë e asaj mase të errët, erë e keqe dhe ndjellë keqe që i ka errësuar njerëzit e politikës. duke bërë që të mendohet se jemi thjesht një jashtëqitje e kombit e ndarë përgjysmë. Mjaft më se ka shumë gjëra të tjera për të bërë. thërrisni, bërtisni, hidhuni përjetë sa të doni, por s’keni për të pasur më këtë nder. Mbushini mendjen njëri tjetrit se jam fshehur dhe jam tretur. Po të doni mos u shkulni më kurrë nga revolucioni iluzionist, por mua s’do më keni më palë.
Ju jeni në rregull, keni hyrë në vitin e 10 kur me keni mundur çdo vit. Keni mbledhur mbi 120 mijë njerëz mhi 120 herë në Bulevard dhe të themi të gjitha siç janë, më keni mundur në të gjitha zgjedhjet dhe ky vit do jetë humbja më e madhe e të gjitha dekadave. Në 14 maj, ku përveç Tiranës dhe Durrësit e Elbasanit që siç na keni informuar, do merrni dhe Vlorën dhe Uashingtonit. Ndaj ju hap rrugë. Dua t’u them të gjithë shqiptarëve atë që më gërryen brenda meje, që s’kam bërë aq sa duhet kundër mjerimit në politikë, ku gëlon fukarallëku dhe maskarallëku.”, tha Rama.
Arena e Lajmit