
Anëtarja e kryesisë së Partisë së Lirisë, Erion Bixha në një deklaratë për mediat denoncoi sfidat e qytetarëve të Tiranës.
Në fjalën e saj ajo rreshtoi problemet kryesore, si mosfunksionimi i Kartës së Rezidentit, trafiku, mungesa e parkimit publik, mungesa e sinjalistikën, e të tjera.
Fjala e plotë e Erion Bixha:
Jemi në këtë dalje publike nga foltorja e Partisë së Lirisë në vazhdën e denocimit të radhës ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj.
Fatkeqësisht, sot Tirana është shndërruar në një kryeqytet ku jetesa është ndërlikuar në çdo aspekt dhe sfidat e qyetarëve të saj janë të pafundme.
Njëra prej tyre është mosfunksionimi i Kartës së Rezidentit, me konkretisht mospërmbushja e nevojave të qytetarëve për të parkuar në zonën ku ata banojnë, pra janë rezidente.
Trafiku dhe parkimi në Tiranë janë shndërruar në një mankth të vërtetë për qytetarët.
Sipas statistikave të grumbulluara vetëm 1% e makinave në Tiranë mund të gjejnë vend parkimi publik falas.
Aktualisht, në Bashkinë e Tiranës janë rreth 5841 vende parkimi për rezidentet të ndara në katër zona Administrimi të Parkimit, siç e shihni një numër tepër i vogël në raport me numrin e popullsisë dhe numrin e automjeteve që disponojnë qytetarët e Tiranës.
Aplikimi i Kartës së Rezidentit për parkim pa pagesë të qytetarëve në zonat ku banojnë ka hasur në vështirësi të mëdha në përmbushjen e kërkesave dhe të drejtave të tyre për të siguruar vende të lira parkimi.
Urbanist të ndryshëm theksojnë se problemi me parkimin filloi me “zaptimin” e qytetit nga kullat e shumta dhe të larta. Ndërtimet pa kriter dhe zënia e hapësirave publike e përshkallzojnë problemin çdo ditë e më shumë.
Ekspertë të fushës nga sindikata e arkitektëve, vazhdimisht këmbëngulin për lënien e hapësirave të nevojshme mes pallateve apo objekteve të ndryshme, si një mundësi shfrytëzimi për Parkimin e Rezidentëve.
Bashkia e Tiranës, jo vetëm që nuk iu vjen në ndihmë qytetarëve, por përkundazi i ngarkon ata edhe më shumë me gjobat e abuzive të vendosura nga Policia Bashkiake. Qytetarët në mungesë të një hapësire publike detyrohen të parkojnë në rrugët që i nënshtrohen sistemit të tarifimit por duke mos kryer pagesën në kohën e duhur, sipas mënyrës së duhur apo nga pamundësia ekonomike për ta kryer këtë pagesë, gjobiten nga Policia Bashkiake.
Mënyra e kryerjes së pagesës është një tjetër problematikë ku mungesa e tabelave informuese në rrugë, të cilat përcaktojnë zonën ku parkon mjeti e cila është e lidhur drejtëpërsëdrejti me vlerën monetare që qytetari duhet të paguaj si edhe për mënyrën sesi mund të kryehet pagesa.
Por, kjo është një tjetër ngërç brenda gjithë sistemit të parkimit në Tiranë për të cilin do kemi një denoncim tjetër publike, sot fokusi jonë është vetëm Karta e Rezidentit.
Një tjetër problematikë e hasur është edhe mungesa e sinjalistikës apo dobësimi i sinjalistikës duke mos e bërë të qartë për qytetarët nëse një hapësirë boshe është apo jo hapësirë parkimi për rezidentët. Në pjesën më të madhe të rrugëve, vijat e bardha që tregojnë hapësirën e parkimit për rezidentët janë fshirë totalisht.
Mungesa e informimit tek qytetarët në lidhje me mënyrën e pajisjes me kartë rezidenti tregon paaftësinë e Bashkisë së Tiranës, për të mos i shërbyer qytetarëve.
Fatkeqësisht, edhe në këtë sektor abuzimi nga ana e Bashkisë Tiranë nuk ka si të mungojë. Ku edhe pse në kundërshtim me nenin 12 të Rregullores së Rezidentit ka raste ku një person mund të zotërojë pa të drejtë dy Karta Rezidenti, një të automjetit të tij personal dhe një të automjetit të punës, ku për këtë të fundit nuk lejohet pajisja me kartë rezidenti.
Në mungesë të një vend parkimi të garantuar, kërkimi për orë të tëra për një vend parkimi përveç ngarkesës psikologjike dhe fizike që përballen qytetarët, ka edhe një kosto të lartë shpenzimi duke patur në konsideratë çmimin e lartë të karburantit, amortizimit që i ndodh automjetit si dhe parkimin në hapësira private kundrejt tarifave të larta.
Ndaj, 14 maji është më afër se kurrë, dita ku qytetarët do të trajtohen denjësisht me shërbime cilësore dhe dinjitoze.
Arena e Lajmit