
Ka përfunduar mbledhja e Berishës me Këshillin Kombëtar. Në deklaratë thuhet se Partia Demokratike është vetëm një dhe parti e anëtarëve të saj.
Gazetari Osman Stafa bëri të ditur për Balkanweb se në këtë mbledhje është miratuar edhe një rezolutë.
Teksa i bëhet thirrje të gjithë demokratëve të mbështesin kandidatët e Partisë Demokratike në deklaratë thuhet se: “Vendimi gjyqësor i Edi Ramës për të përjashtuar Partinë Demokratike nga zgjedhjet konfirmon tmerrin e tij nga opozita e vërtetë dhe planin e tij për të zhbërë opozitën, konsolidimin e monizmit të bazuar në vjedhjen, drogën, krimin. Ky plan ka dështuar dhe sot Partia Demokratike është më e fortë se kurrë”.
Gjithashtu theksohet se Partia Demokratike dënon Lulzim Bashën dhe Enkelejd Alibeajn, si pengje të Edi Ramës, që ishin instrumente të tij, në vendimin e tij antikushtetues”.
REZOLUTA:
Në mbledhjen e tij të datës 5 mars 2023, u analizua gjerësisht gjendja politike në vend në tërësi, dhe veçanërisht vazhdimin e skenarit armiqësor ndaj Partisë Demokratike nga Edi Rama dhe shteti i tij monist. Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike deklaron se:
1. Partia Demokratike është vetëm një! Ajo është parti e anëtarëve të saj! Ajo është parti e njerëzve të lirë dhe asgjë nuk na ndal ne në misionin tonë për të shpëtuar Shqipërinë!
2. Vendimi gjyqësor i Edi Ramës për të përjashtuar Partinë Demokratike nga zgjedhjet konfirmon tmerrin e tij nga opozita e vërtetë dhe planin e tij për të zhbërë opozitën, konsolidimin e monizmit të bazuar në vjedhjen, drogën, krimin. Ky plan ka dështuar dhe sot Partia Demokratike është më e fortë se kurrë!
3. Partia Demokratike dënon gjithashtu Lulzim Bashën dhe Enkelejd Alibeajn, pengje të Edi Ramës, që ishin instrumenta të tij, në vendimin e tij antikushtetues.
Partia Demokratike në betejën e saj me monizmin, është sot forcë politike më e fuqishme, më e përgatitur se kurrë për të hyrë në zgjedhje dhe për t`i fituar ato. Ne jemi të bindur se në këtë mënyrë, ne përfaqësojmë aspiratat dhe ëndrrat e shqiptarëve që duan ta shohin Shqipërinë si e gjithë Evropa!
4. Ne u bëjmë thirrje të gjithë demokratëve të mbështesin kandidatët e Partisë Demokratike të cilët janë votuar nga anëtarësia, në procesin më transparent dhe më fisnik, më të civilizuar që ka njohur Shqipëria. Kështu u shërbejmë interesave të Shqipërisë dhe shqiptarëve!
5. I bëjmë thirrje shqiptarëve të mbështesin kandidatët e Partisë Demokratike si e vetmja mundësi për të ndryshuar Shqipërinë!
6. Partia Demokratike fton demokratet dhe demokratët, mbështetësit tanë të vazhdojmë revolucionin tonë paqësor demokratik gjer në shpëtimin e Shqipërisë nga monizmi i Edi Ramës!