Ishte 6 qershori 1973 kur Brazili dhe Tunizia për balleshin në takimin e tyre të parë në histori.
Brazilianët fitonin 4-1 në Tunizi, teksa do të duhej të kalonin 49 vjet që këto kombëtare të përballeshin sërish mes tyre në një miqësore.
Në takimin e luajtur në Paris, Brazili ka dominuar tërësisht duke fituar me një rezultat edhe më të thellë, 5-1.
Për skuadrën e Tites kjo ishte miqësorja e dytë në tokën franceze, pas suksesit në Le Havër fundjavën e kaluar kundër Ganës.
Po ashtu ishte dhe suksesi i dytë. Nën vëzhgimin e trajnerit të kampionëve të botës (Franca), Didie Deshamp dhe presidentit të FIFA-s, Xhani Infantino, Brazili ka dhuruar spektakël, duke i përçuar një tjetër mesazh rivalëve se në Botërorin që nis pas dy muajsh në Katar, ata do të jenë pretendentë kryesorë.
Gjithçka është vendosur që në pjesën e parë, ku Brazili ka shënuar 4 herë, ku protagonist ka qenë Rafinja me dy gola, teksa kanë shënuar dhe Riçarlison dhe Nejmar, ky i fundit me penallti.
Në pjesën e dytë ka shënuar dhe Pedro, teksa për Tunizinë kishte shënuar Talbi (18′) golin e barazimit të përkohshëm 1-1.
FURI DHE TENSION – Tite e ka nisur takimin me një tjetër Brazil ultraofensiv, duke lënë pushim në stol Viniciusin. Por pesë herë kampionët e botës nuk kanë ndryshuar asgjë në rreshtim, sikurse dhe në lojë.
Presing dhe dominim që në minutat e para që kanë sjellë dhe golin e Rafinjës pas 12 minutash.
Talbi ka barazuar shpejt për Tunizinë, por vetëm kaq, sepse më tej Brazili ka kontrolluar gjithçka, duke shënuar me Riçarlison, Nejmar dhe përsëri Rafinjën.
Por pjesa e parë ka pasur dhe mjaft ndërprerje për ndërhyrje të ashpra, teksa Bron ka kaluar caqet, duke lënë ekipin e tij me 10 vetë pas një ndërhyrje brutale në dëm të Nejmarit.
Praktikisht gjithçka është mbyllur këtu, sepse me një lojtar më pak Tunizia e ka pasur të pamundur t’i kundërvihet Brazilit, që ka gjetur dhe golin e pestë në pjesën e dytë me Pedron të ardhur nga stoli.
TITE – Për trajnerin e Brazilit, Tite, kjo ishte fitorja numër 57 në 76 ndeshje në krye të kombëtares braziliane. Duke folur pas ndeshjes, trajneri i Brazilit nuk e ka fshehur gëzimin për suksesin, duke shtuar se skuadra e tij është gati për Botërorin.
“Jam i kënaqur për mënyrën se si kemi luajtur dhe e kemi dominuar kundërshtarin.
Nuk e kemi diskutuar takimin dhe tani shohim përpara drejt Katarit”, tha trajneri i Brazilit. Për jeshilartët kjo ishte ndeshja e fundit para kampionatit Botëror që starton pas 57 ditësh.
Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
