Stefano Pioli, u shpreh për mediat e pranishme në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të edicionit të 43-të të turneut “Nereo Roko” që u mbajt dje në Karnago, lokacioni ku zhvillojnë ndeshjet e tyre ekipet e grupmoshave të “Djallit”. Ecuria e skuadrës dhe planet e së ardhmes në fokusin e trajnerit kuqezi që pas humbjes me Napolin pret të rikthehet te fitorja të shtunën në mbrëmje kundër Empolit.
Çfarë synimesh ka Milani sivjet? Ne po mundohemi të përmirësojmë nivelin tonë dhe besoj se po bëjmë mirë, por vështirësitë janë të dukshme. Në kuptimin që është një kampionat shumë i niveluar mes skuadrave të forta, që do të luftojnë deri në fund dhe ne duam të qëndrojmë në grupin që do të luftojmë deri në fund.
Kampionat i veçantë, a mund të fitojë çdokush?
Jo kushdo, por se do të jetë një kampionat anormal kjo është e ditur dhe ne do të duhet të menaxhojmë mirë lojtarët që do të shkojnë në Botëror. Tani që mbaroi pauza e kombëtareve do të jemi shumë të zënë dhe qëndrimi në vendet e para do të jetë një objektiv për të gjithë ata që duan të fitojnë.
Dëshironi të filloni një cikël me këtë klub?
Te Milani ndihem si në shtëpinë time dhe kur dikush ndihet si në shtëpi, nuk do të donte të merrte në konsideratë asnjë propozim tjetër. Kemi ende shumë gjëra për të bërë, por nuk jam i shqetësuar për kontratën apo për të ardhmen time.
Mendoni se jeni në kushtet për të hapur një cikël?
Kur je trajner i Milanit qëllimi është që të jesh konkurrues dhe të fitosh. Synimi im është të vazhdojmë të përmirësohemi. Jemi një ekip i ri, por me një vetëdije që mund të na lejojë të synojmë majat.
Objektivi për dy muajt e ardhshëm, përveç rikuperimit të të lënduarve?
Që të fitojmë sa më shumë ndeshje.
Si mundet Milani të jetë më europian?
Ende besoj se nuk ka aq shumë dallime mes të luajturit mirë në Itali dhe në Champions. Ka nga ato që thonë se ekipet e Serisë A nuk përgatiten si duhet fizikisht. Liga e Kampionëve kërkon një ritëm shumë të lartë, por asgjë nuk është e pamundur. Nëse i luajmë sfidat në nivelin tonë, gjithçka do të jetë brenda mundësive tona.
Çelsi-Juve-Çelsi: sa vlejnë këto tri ndeshjet për të kuptuar se në çfarë niveli jeni?
I kuptoj pritshmëritë, por ndeshja më e vështirë sigurisht që do të jetë ajo ndaj Empolit. Nuk dua të krijoj alibi, por lojtarët i kam në dispozicion për vetëm dy ditë para ndeshjes dhe ajo me Empolin është shumë delikate. Tri sfidat që përmendët janë përballje direkte, por kemi një nivel të lartë dhe jemi një skuadër e fortë. Thjesht duhet të gjejmë vazhdimësinë e rezultateve për të qenë sa më konkurrues.
Arena e Lajmit
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
