
Alfred Lela në një intervistë në News24 u shpreh se parregullsitë lidhur me procesin e votimit ishin të pranishme, ndërsa theksoi se nga ana e opozitës këto ishin paralajmëruar.
Lela u shpreh se parregullsi ka pasur në Kamëz, por më së shumti të Elbasan, pasi theksoi se probleme ka pasur që në orët e para të votimit, dhe se sipas tij KQZ s’e ka bërë punën e saj si duhet.
“Na bën optimist fakti se nga raportimet tona në terren opozitarët kanë dalë për të votuar dhe shpresojmë se edhe ata që nuk kanë dalë ende, të mos hezitojnë por të votojnë.Ndërkohë parregullsitë ishin të frikshme, po ashtu ishte edhe arrestimi i kandidatit të “BF” në Himarë, Fredi Beleri. Pra kanë qenë edhe hapja edhe mbyllja në qendër të terrorit. Drejtorë që shiheshin lart e poshtë, të gjitha spaletat e ushtrisë së administratës së qeverisë, pra nuk mund të mungonte kjo nga ky shtet. Elektronika ka gjithmonë të papritura dhe ndaj duhet pasur kujdes”, ka thënë ai.
Rasti i Elbasanit, një qytetar ka ngritur problemin sepse ka votuar djathtas dhe i është votuar fleta e votimit të PS?
Alfred Lela: Nuk e di nëse mund të ketë qenë gabim njerëzor, apo i makinës, por është një gjë që duhet analizuar dhe nuk duhet të nxitohemi. Pasi duhet të kemi të qartë pamjen e asaj që ka ndodhur. Mua në fakt më shqetëson super struktura shtetërore e pranishme në çdo zyrë. Si rasti i Durrësit, këmbëkryq në qendrën e votimit, kur dihet që funksionarëve nuk u lejohet. Deri nga ora 1 ka pasur prani të shtetit, ndërsa policia nuk ishte, por është parë me tej. Dhe kjo besoj është më shqetësuese se elektronika. Unë e them se të gjithë shkelësit do të përballen me ligjin.