EKSKLUZIVE/ “Tirana mund të bëjë tripletë”, Xhixha: Mungesat ndikojnë, por titulli nuk vendoset të mërkurën (E PLOTË)

Redon Xhixha është i bindur se Tirana e fiton derbin dhe hedh një hap të madh për titullin kampion. Ish-sulmuesi i bardhebluve deri në fund të janarit pranoi se derbin e vendos Abazaj ose Lushkja si dhe bardheblutë do të marrin tre trofetë. Për “Panorama Sport”, ai analizoi pragsfidën, si dhe çfarë e pret skuadrën kampione. Tre gola ka shënuar Redon Xhixha në derbi dy sezonet e fundit me Tiranën. Në të dyja rastet golat e sulmuesit kanë sjellë fitoren me Partizanin. Karabaku bleu lojtarin për 550 mijë euro. Për këtë transferim Tirana veç 550 mijë eurove mund të marrë edhe 250 mijë euro bonuse. Një arritje e madhe për bardheblutë dhe sulmuesin që veç të tjerave në momentin e largimit ishte edhe golashënuesi i Superiores me 11 gola.

xhixha

E keni ndjekur Tiranën që kur jeni larguar nga bardheblutë. Si e shihni Tiranën në vendin e parë?

Tiranën e kam ndjekur pothuajse në të gjitha takimet që kanë luajtur.  Kanë zhvilluar një kampionat shumë të mirë. Janë me meritë në vendin e parë. Shpresoj dhe uroj që të jenë në krye të kampionatit deri në fund të sezonit.

Sipas jush, ka ndikuar humbja me Teutën dhe fakti që tani është dy pikë?

Humbja me Teutën mendoj se nuk do të ndikojë në ecurinë e derbit. Ndeshja me Partizanin është derbi. Edhe sikur të jesh në vendin e fundit dhe të jesh jashtë objektivave apo një kategori më poshtë, kur vjen fjala derbi motivi është shumë i madh dhe nuk ndikon asgjë rreth e rrotull. Veçse je i fokusuar që ta fitosh këtë ndeshje që është më e rëndësishmja për Tiranën.

Mund ta fitojë derbin e radhës?

Sigurisht që derbi në vetvete është i paparashikueshëm. Brenda i ka të tria rezultatet. Them kështu, sepse varet se si shkon takimi, por Tirana i ka shanset dhe mundësitë që ta fitojë këtë takim

Cili nga lojtarët mund ta vendosë derbin?

Në mungesë të shumë lojtarëve, them se një prej dy lojtarëve do ta vendosë derbin. Kam dy emra, Abazaj ose Lushkja. Këta të dy e vendosin këtë takim.

Tiranës i mungojnë pesë titullarë. Ndikon te ndeshja, sidomos Hasani dhe Patrik?

Të pesë lojtarët janë mungesë e madhe dhe në fund mund të peshojnë. Them që më shumë skuadrës i mungon Hasani. Ai është golashënuesi i kampionatit dhe është normale që do t’i mungojë kësaj ndeshjeje. Problem është edhe Patriku, por ai dihet që e ka mbyllur sezonin prej kohësh. Jam i bindur se ata që do të luajnë në vend të këtyre dy mungesave apo edhe të tjerëve do të japin maksimumin në fushën e lojës.

Ju keni qenë pjesë e bardhebluve. Cila është arma e fortë dhe e dobët e Tiranës në këtë sezon?

Arma më e fortë e Tiranës në këtë kampionat është grupi. Ata kanë realisht një grup shumë të mirë dhe me cilësi që bëjnë diferencë në fushën e lojës. Pikë të dobët nuk ka. Këtë e argumentoj me faktin që janë në vendin e parë.

Cila është arma më e fortë dhe e dobët e Partizanit?

Për Partizanin nuk dua të bëj një analizë.

Është derbi ndeshja që vendos titullin kampion nëse Tirana fiton ose barazon?

Derbi me Partizanin mund t’i japë Tiranës një dorë më shumë për titullin kampion, por nuk besoj se do të jetë sfida përfundimtare. Nuk besoj se do të vendoset në derbi titulli. Janë edhe tri ndeshje të tjera për t’u luajtur, por një shtysë e madhe është kjo ndeshje. Ai që do të dalë fitimtar apo në fund të derbit është në vendin e parë, atëherë është shumë më pranë titullit kampion.

Tirana është e para në kampionat, ka fituar Superkupën dhe është në finalen e Kupës. Ka shansin të fitojë tre trofe?

Shpresoj që ta bëjnë këtë tripletën. Tirana është e para në kampionat dhe dua që ta mbyllë në vendin e parë. Është në finalen e Kupës së Shqipërisë dhe shpresoj që ta fitoj këtë trofe. Plus Superkupën që ia dhurova unë në minutën e fundit të shtesës me golin që shënova, gjithçka do të ishte perfekte. Besoj dhe shpresoj që mund të bëjnë tripletën.

Si po shkon aventura juaj jashtë vendit?

Aventura në Azerbajxhan po shkon shumë mirë. Jam ambientuar totalisht, me vendin, skuadrën me gjithçka dhe po më shkon shumë mirë. Madje më mirë se çfarë e prisja. Shpresoj që të vazhdoj edhe më mirë.

OLSI AVDIAJ – Arena e Lajmit

 

” “


Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×