Kavaja është tronditur ditën e sotme, nga të shtënat me armë zjarri. Arjan Gosa është qëlluar për vdekje me plumb në kokë, në ambientet e një lokali.
Gazetari Igli Çelmeta tha për “BalkanWeb” se janë sekuestruar kamerat në zonë.
Gjithashtu bëhet me dije se shkak i kësaj vrasjeje dyshohet të jetë ajo e hakmarrjes, pasi më 29 mars 2023, Edmond (Armand) Gosa, vëllai i Arjan Gosës mbeti i vrarë pas një konflikti me Altin Rexhën.
Viktimë ditën e sotme mbeti Arjan Gosa, vëllai i Armand Gosës.
“Një person është ekzekutuar brenda një lokali. Viktima është shtetasi Arjan Gosa vëllai i Armand Gosës i cili pak muaj më parë mbeti i vrarë pas një konflikti me shtetasin Altin Rexha, ku pas një konflikti me njëri –tjetrin mbetën të dy të vrarë. Arjan Gosa sot është vrarë me një plumb në kokë. Një person dyshohet se është futur në lokal dhe e ka qëlluar me armë. Persona të tjerë gjithashtu ndodheshin në lokal. Autoritetet janë në mbledhjen e provave, janë sekuestruar kamerat e sigurisë gjithashtu janë shoqëruar persona që janë dëshmitarë okularë. Hetimi e lidh këtë ngjarje, me ngjarje e ndodhur pak muaj më parë, ku vëllai i tij u vra gjatë një konflikti me shtetasin Altin Rexha. Edmond Gosa dhe Altin Rexha vranë njëri tjetrin pasi u konfliktuan”, raportoi gazetari.