Përveç prishjes së imazhit në planin futbollistik dhe atë menaxherial në krye të kampionëve të Bundesligës, tashmë “vesi” ka kaluar edhe strukturat e brendshme që nuk kanë lidhje me grupin e lojtarëve.
“Bayern Insider” zbulon se bavarezët janë ndëshkuar në vlerën e 200 mijë eurove si shkak i mosdeklarimit të sigurimeve shoqërore për punonjësit e saj në sektorin e akademisë. Kjo nuk është e gjitha, pasi ata gjithashtu nuk e kanë caktuar kuotën e rrogës reale që përfitojnë, por e kanë reduktuar, pra është fiktive, e ndikon në taksim. Zyra tatimore në Mynih lëshoi urdhër të menjëhershëm për gjobitjen e Bajernit në rrjedhën e hetimeve rreth shkeljeve të ligjit mbi pagën minimale dhe anashkalimin e sigurimeve shoqërore në favor të punonjësve.
Vlera e padeklaruar prej gjigantëve nga Mynihu llogaritet në 45 milionë euro, ndërmjet periudhës 2016-2021. Tabloja e mësipërme ka bërë jehonë botërore, marrë në konsideratë vlerat që 33 herë kampionët e ligës gjermane kanë prezantuar ndër dekada. Klubi, nga ana e tij, ka reaguar, duke e cilësuar si histori “të vjetër”.
REAGIMI I KLUBIT- “Rasti i mbyllur. Bajerni i ka rregulluar problemet e deklarimeve mbi të ardhurat e punonjësve. Procesi konsiderohet pa asnjë dyshim i mbyllur”.
Vetë Presidenti i Nderit, Uli Hënes, apo Herbert Hainer, nuk kanë dhënë asnjë prononcim rreth çështjes në fjalë./ Panoramasport