Kroacia kërkon trofeun e parë në arenën ndërkombëtare, Spanja luan finalen e dytë radhazi në Ligën e Kombeve

Kroacia kërkon trofeun e parë evropian, teksa në mbrëmje në orën 20:45 do të përballet me Spanjën në finalen e Nations League, sfidë që luhet në Roterdam. Ky është edicioni i tretë i Ligës së Kombeve, teksa herën e parë është fituar nga Portugali dhe herën e dytë nga Franca.

Pas fitoreve në gjysmëfinale ndaj Holandës dhe Italisë, ballkanasit dhe iberikët do të japin maksimumin. Mund të konsiderohet ndryshe si shansi i fundit i Kroacisë me brezin e saj të artë për të fituar një trofe, që pas ecurive të jashtëzakonshme në dy Botërorët e fundit do të kërkojnë që rrugëtimin e Nations League ta konkludojnë me sukses.

Pavarësisht se gjenden në finale, për Kroacinë nuk ka qenë rrugëtimi më i lehtë. Kroatët e nisën këtë kompeticion me një humbje dhe një barazim ndaj Austrisë dhe Francës, por fitoret e marra ndaj Danimarkës dhe ndaj Francës në ndeshjet e kthimit i ndihmuan që të kalojnë grupin.

Një rrugëtim i gjatë dhe inspirues, por në finale do të masin forcat me Spanjën, një kundërshtar që i ka hapur gjithnjë probleme në vitet e fundit dhe statistikat flasin dukshëm për iberikët që kanë 5 fitore, 1 barazim dhe 3 humbje në përballjet e zhvilluara.

Gjysmëfinalja e Spanjës ndaj Italisë dukej e destinuar për extra-time deri në momentin kur Joselu dërgoi në rrjetë një top të mbetur në zonën e “azzurëve” në minutën e 88’, për të dërguar La Furia Rojan në finalen e tetë të një kompeticioni madhor, e dyta radhazi në Nations League, teksa u mundën nga Franca.

Triumfi në finale ndaj Kroacisë do të ishte starti perfekt i periudhës menaxheriale te Spanja për trajnerin Luis de la Fuente, që do të drejtojë vetëm ndeshjen e tij të katërt në finalen e Roterdamit. Pavarësisht se Spanja konsiderohet favorite e madhe në këtë finale, Kroacia e ka dëshmuar shpesh në të kaluarën që t’i nënvlerësosh është gabimi më i madh.

()

Arena e Lajmit


Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×