Që në ekipin e Kukësit do të niste një reformë e thellë këtë sezon, ishte diçka që pritej. Kjo, për shkak se drejtuesit e patën bërë të qartë se bëhej fjalë për një dështim dhe normalisht dikush duhet të mbante përgjegjësi dhe ajo iu faturua lojtarëve. Verilindorët larguan nga skuadra “milionerët” dhe lojtarët që paguheshin më shumë, duke ulur kështu edhe kostot për pagesat e tyre këtë sezon. Mësohet se largimet kanë qenë të mirëmenduara dhe jo rastësore, sepse bëhet fjalë për futbollistët që kishin përgjegjësinë më të madhe mbi supe dhe që pritej të nxirrnin klubin nga situata.
AVULLOJNË GOLAT – Bashkë me futbollistët që mbyllën bashkëpunimin me blutë, “ikën” edhe golat. Mund të jetë thjesht një rastësi, por kështu ka ndodhur me këtë skuadër. Aktualisht, në ekipin aktual të Kukësit që ende mbetet pjesë e klubit, është vetëm sulmuesi Atdhe Rashiti që ka provuar rrjetën me këtë skuadër. Ai u afrua sezonin e kaluar në merkaton e janarit dhe shënoi tre gola në 13 takime.
Një shifër jo shumë e kënaqshme, por duke marrë parasysh paraqitjen e gjithë ekipit këtë sezon, nuk mund të pritej më shumë prej tij. Për momentin ai është lojtari i vetëm që mund të krenohet se ka shënuar një gol me Kukësin sezonin që sapo lamë pas në kampionat. Edhe këtë sezon, duket se fatet e sulmit do të jenë të varura në këmbët e tij, gjithnjë nëse nuk do të ketë ndonjë surprizë deri në mbylljen e merkatos dhe palët të ndërpresin në mes bashkëpunimin, siç ndodhi me një pjesë të mirë të tyre. Ai ka kontratë deri në vitin 2026 dhe gjasat janë që të respektohet nga ana e të dyja palëve. 24-vjeçari luajti në total 928 minuta përgjatë gjithë pjesës së dytë të kampionatit me skuadrën e Kukësit.
MERKATO – Sa i përket merkatos në hyrje duket se gjërat kanë ngecur për blutë, pasi deri më tani nuk është zyrtarizuar asnjë afrim. Edhe pse klubi ka pohuar se ato do të bëhen të ditura në ditët në vijim, kur po mbyllet java e parë e përgatitjeve nuk ka lëvizje në këtë aspekt. Gjithsesi, gjatë muajit korrik do të vijnë edhe afrimet e para, por sigurisht, ndryshe nga vitet e kaluara, nuk priten më emra të bujshëm në Kukës. PanoramaSport