Gjatë seancës së sotme parlamentare ka pasur edhe një episod të tensionuar ku protagonist është bërë deputeti i Partisë Demokratike Asllan Dogjani.
Teksa përfundonte fjalën e tij, ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ka nisur të lexojë pyetjen e depozituar nga Dogjani, kur ky i fundit është ngritur dhe i është drejtuar foltores.
Dogjani i është drejtuar zv. kryeparlamentares Ermonela Felaj duke i thënë se ka “2 orë që ka bërë pyetjen me shkrim”, ndërsa kërkonte sqarim.
Felaj është përgjigjur duke thënë se ajo nuk mund të “shtijë fall kur vijnë deputetët në sallë”, duke pretenduar se Dogjani nuk ka qenë në sallë kur Manja ka nisur fjalën e tij.
Pjesë nga debati:
Felaj: Nuk ju është hequr asgjë në mënyrë të padrejtë.
Dogjani: Kam 2 orë që kam bërë pyetjen me shkrim unë. Unë nuk do shpik raketën. Më vjen keq moj zonjë, çfarë është kjo?!
Felaj: Nuk shti fall kur vijnë deputetët në sallë, ministri po prezanton ligjin dhe do japë përgjigjen e pyetjeve. Uluni ju lutem! Më detyroheni një ndjesë për këtë që keni bërë në Kuvend! Nuk ishit në sallë, erdhët pasi ministri nisi fjalën. Mos gënjeni.