
KRUJË
Policia ka njoftuar sot zyrtarisht për arrestimin e 4 personave për horrorin në Krujë, ku mbetën të plagosur dy persona me mbiemër Maja, pas dhunës makabre me shkopinj bejsbolli dhe shqelma ndaj tyre nga anëtarë të fisit Rraja, disa prej tyre të afërm të ish-deputetit të PS Rrahman Rraja.
Janë shoqërohen në komisariat 8 autorët e dyshuar, ndërkohë që në pranga kanë përfunduar 4 dhe janë shpallur në kërkim 3 të tjerë.
Gjatë operacionit për kapjen e këtyre shtetase u angazhuan shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Tiranë dhe Reparti Special RENEA.
Në vijim të informacionit të dhënë ditën e djeshme, në lidhje me një konflikt në një lokal në aksin rrugor Fushë Krujë-Thumanë, ku shtetasit Xhelal Rraja, I., Rr., dhe K. Rr., kanë goditur me sende të forta shtetasit B. M. dhe J. M., shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja, dhe të Repartit Special RENEA, kanë organizuar punën për lokalizimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar dhe kanë shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Krujë, shtetasit:
– Ineidi Rraja, 23 vjeç, Eni Kullaj, 27 vjeç, Kujtim Përdaku, 57 vjeç, Andi Rraja, 28 vjeç, P. Rr., 65 vjeç, N. M., 35 vjeç, L. Rr., 54 vjeç, D. Rr., 31 vjeç.
Në vijim të veprimeve hetimore u bë ndalimi i shtetasve I. Rr., 23 vjeç, E. K., 27 vjeç, K. P., 57 vjeç, A. Rr., 28 vjeç, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve të zjarrit dhe i municionit”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.
Gjithashtu u shpallën në kërkim shtetasit Xhelal Rraja, 65 vjeç, Flamur Rraja, 55 vjeç, dhe K. Rr., 31 vjeç.
Shtetasit e mësipërm, ditën e djeshme, rreth orës 11:00, në një lokal në aksin rrugor Fushë Krujë-Thumanë, kanë goditur me sende të forta shtetasit Bilbil Maja dhe Jashar Maja, dhe shkak për konfliktin midis këtyre shtetasve dyshohet të jetë një gurore në fshatin Borizanë, në pronësi të shtetasit P. Rr., i cili ka leje shfrytëzimi dhe licencë për zhvillimin e aktivitetit dhe sipas pretendimeve të shtetasve të dëmtuar (Bilbil Maja dhe Jashar Maja) kur ndodhin plasje në gurore, krijon shqetësime në banesat e tyre.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.
and then