Dhuna në Borizanë, policia u përpoq ta “thjeshtojë” ngjarjen. Tha se gurorja është “me leje”, ndërsa arrestimet u kryen pas publikimit të videos

Ngjarja e rëndë në Borizanë që tronditi mbarë opinionin publik, nuk u paraqit e tillë në njoftimet zyrtare të policisë. Në datën 6 korrik policia dërgoi një njoftim ku e përshkruante ngjarjen e ndodhur po atë ditë si një konflikt banal mes disa shtetasve, për identifikimin e të cilëve përdorte inicialet, gjë që nuk lejonte të kuptohej se agresorët ishin njerëz të një familjeje me pushtet në zonë.

Në njoftim thuhej se gjatë konfliktit 2 shtetas ishin dëmtuar me sende të forta dhe ishin dërguar në spital për ndihmë mjekësore. Por pavarësisht se detajet e dhunës së rëndë ishin retushuar, policia nuk harronte të theksonte se “shkak për konfliktin ishte bërë një gurore në fshatin Borizanë, në pronësi të shtetasit P. Rr., i cili ka leje shfrytëzimi dhe licencë për zhvillimin e aktivitetit”, ndërsa shqetësimin e shtetasve të plagosur për dëmtim të shtëpive të tyre nga shpërthimet, policia e quan thjesht një “pretendim”. U desh që media të publikonte videon e dhunës së paprecedentë të ndodhur mbi dy njerëz të pambrojtur nga një grup i armatosur me shkopa bejsbolli dhe armë, që policia të vihej në lëvizje me seriozisht dhe të plotësonte me të dhëna të tjera njoftimin zyrtar.

Në datën 7 korrik, policia bëri të ditur se ka identifikuar si të dyshuar për dhunën 8 shtetas, ka ndaluar 4 prej tyre të akuzuar për “Plagosje të rëndë me dashje”, “Mbajtje pa leje dhe prodhim të armëve të zjarrit dhe i municionit”, “Moskallëzim të krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës” dhe se ka shpallur në kërkim 3 persona të tjerë. Edhe në njoftimin e dytë policia nuk jep ndonjë të dhënë specifike mbi dhunuesit, të cilët ishin të gjithë anëtarë të fisit Rraja, por rithekson se bëhet fjalë për një konflikt të shkaktuar nga një gurore që ka leje shfrytëzimi dhe licence dhe sërish i quan “pretendime”, shqetësimet e shtetasve të plagosur të cilët thonë se kur ndodhin plasje në gurore, banesat e tyre dëmtohen. Në asnjë rast policia nuk përmend kërcënimet me armë gjatë konfliktit.

Ministri Çuçi shkruan në FB se insinuatat që bëhen s’kanë lidhje me të vërtetën dhe me punën e Policisë së Shtetit për të çuar autorët përpara drejtësisë, por nuk dihet nëse autorët e dhunës do të ishin identifikuar për publikun, a do të ishin akuzuar, shpallur në kërkim apo arrestuar, nëse videoja tronditëse nuk do të ishte publikuar në media?!

()

Arena e Lajmit


Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×