Darka me liderët e B. Perëndimor, në fokus zgjerimi i BE, Shqipëria mungon. SYRIZA kritika Mitsotakis: Dikur organizonte festa në minoritet, por…

Sot në orën 20.15 në Megaro Maksimu, kryeministrinë greke do të zhvillohet sot darka jo-formale e organizuar nga kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis me liderët e Ballkanit Perëndimor, kryetaren e KE, Ursula Von der Layer dhe kryetarin e PE Charles Michel si dhe liderët e vendeve anëtare të BE të rajonit ballkanik, me temë zgjerimin e BE dhe të ardhmen europiane të rajonit Ballkanik Perëndimor, shkruan sot në mëngjes Agjencia Zyrtare e Lajmeve të Athinës dhe Maqedonisë, AMNA.

Në axhendën e plotë të takimeve të kryeministrit grek dhe protokollit të darkës theksohet se Shqipëria është ftuar në nivel presidencial por nuk do të ketë përfaqësi, si dhe nga darka do të mungojë dhe përfaqësia sllovene për arsye madhore. Sakaq kujtojmë se ditën e nesërme, ora 10.45, kryeministri Mitsotakis do të zhvillojë një takim me homologun e Kosovës, Albin Kurti.

Në jehonën e këtij aktiviteti, ministri i Punës së Greqisë dhe nënkryetar i partisë qeverisëse “Demokracia e Re”, Adonis Georgiadis, ka theksuar në një intervistë në kanalin televiziv shtetëror grek ERT se “Shqipëria duhet të harrojë integrimin europian nëse ndalon betimin e Fredi Belerit. Greqia do të bllokojë çdo lloj financimi apo fondi nga BE për sa kohë zgjat kjo çështje. Shqipëria le të harrojë paratë e BE” ndërsa në vijim ka shtuar se nëse përsëriten zgjedhjet në Himarë apo betohet tjetër person si kryebashkiak i zonës, “për Greqinë do të përbëjë faktor i marrëdhënieve të ngrira negative për afat kohor të pacaktuar”.

Duke e konsideruar tepër të rëndësishëm faktin që në darkën e sotme të kryeministrit Mitsotakis nuk është ftuar Edi Rama, ka thënë se “Vendimi i Kyriakos Mitsotakis të ftohen të gjithë të tjerët përveç tij, vërteton se çështja Beleri nuk kalon lehtë në qeverinë greke. Sa mendojnë se Mitsotakis do të ketë reagim të butë, e kanë gabim! Mesazhi ndaj Shqipërisë është i qartë. Po ndaluat Fredi Belerin të marrë detyrën, harroni integrimin europian dhe paratë e Europës”, ka dërguar mesazhin e tij Adonis Georgiadis.

Nga ana e opozitës SYRIZA një deklaratë me mesazhe ironike për darkën e Mitsotakis në Megaro Maksimu dhe kritikë e ashpër për politikën e gabuar diplomatike është publikuar sot paradite në media. Në deklaratë theksohet se shpresohet që kjo darkë të mos jetë një tjetër përpjekje për marrëdhënie publike të kryeministrit grek, por të ketë vërtetë iniciativa specifike të Greqisë për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, duke i kujtuar Mitsotakis se është kryeministri që pak muaj më parë organizonte festa në minoritet e Athinë, duke shkëmbyer komplimente me superlativa parazgjedhore, ndërsa pak muaj më pas i mbyll derën për çështjen Beleri. Një sërë kritikash ushtron SYRIZA edhe për zbatimin e Marrëveshjes së Prespës dhe qëndrimit të dyzuar të partisë qeverisëse ndaj Maqedonisë Veriore.

()

Arena e Lajmit


Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×